Një bashkim prej tre kompanish të udhëhequra nga Agbes Construction janë shpallur fitueset në segmentin e parë të rrugës Elbasan-Lekaj. Bëhet fjalë për fazën e parë të ndërtimit të aksit Papër-Ura e Grykshit, me fond limit prej 25.3 milionë eurosh.
Agbes, Aida Construction dhe Alba Construction ofruan 21 milionë euro për ndërtimin e segmentit, që është pjesë e autostradës Elbasan-Lekaj dhe më tej i Korridorit të 8-të.
Sipas dokumentave të publikuara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, në tender u paraqitën plot 10 oferta nga kompanitë më të mëdha të ndërtimit në vend. Oferta më e ulët ishte ajo e kompanisë Pevlaku, e cila ofroi çmimin 16.5 milionë euro ose gati 9 milionë euro më pak se vlera limit. Ramë Geci me Geci shpk ofroi çmimin 18.2 milionë euro, ndërsa BE-IS dhe Bami ofruan vlerën 19.6 milionë euro.
Megjithatë 3 ofertat më të ulëta u skualifikuan për shkak të mospërmbushjes së kritereve kualifikuese, kryesisht për shkak të angazhimit të stafit dhe makinerive në kontrata të tjera publike. Rrjedhimisht ARRSH ka shpallur fitues bashkimin e kompanive të udhëhequr nga fierakët e Agbes, të cilat ofruan një cmim 4.2 milionë euro më pak se fondi limit.
Por cilët janë pronarët e AGBES CONSTRUKSION?
Nga verifikimi i ekstraktit historik të regjistrimit të kompanisë rezulton se është në pronësi të Arben Goga dhe Bashkim Ramaj.
Arben Goga prej vitesh është përfolur për lidhjen me Armando Subashin, Kryetarin e Bashkisë Fier dhe përfitimet pafund që ka marrë nga ky i fundit me tenderat publik, në raste të caktuara edhe pa pasur kapacitetet e nevojshme për realizimin e kontratave për punë publike.
Në bazë të të dhënave në ‘Open Procurement Albania’, kompania e tij figuron se ka fituar shumicën e tenderëve në Fier.
Arben Goga nuk ka përfituar vetëm tendera nga Armando Subashi, por edhe leje ndërtimi, si ajo për ngritjen e kullave mbi pallatin e sportit në Fier, me zhvillues Arben Goga dhe Arben Isufaj (Ben Qimja), ç’ka tregon edhe lidhjet e Arben Goges me krimin. Thuhet se pas këtyre kullave qendron Olsi Rama, vëllai i kryeministrit Edi Rama.
AGBES CONSTRUKSION, gjithashtu është një nga kompanitë përfituese të kontratës koncesionare për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e Triportit të Vlorës, për vlerën 40 milion euro, për 35 vite.
AGBES CONSTRUKSION është e njëjta kompani, që ka marrë një nga tenderat për shtesë të rrugës Kardhiq-Delvinë, me vlerë 285 mln lekë.
Arben Goga rezulton se zotëron 100% të aksioneve të kompanisë HP VENDRESH ENERGY, kompani e cila ka përfituar kontratën për ndërtimin dhe operimin për 35 të hidrocentralit në Vëndresh të Bashkisë Skrapar.
Nga të dhënat që disponon Zahiri News, rezulton se ky subjekt për vite me rradhë ka shfrytëzuar fondin pyjor të Bashkisë Skrapar, pa paguar asnjë lekë.
Konkretisht ndërmjet Bashkisë Skrapar dhe subjektit HP Vëndresh Energy Sh.P.K është lidhur kontratë nr.536, datë 02.03.2017 me afat 2 vite për dhënien me qira të fondit pyjor për vlerën 399,475 lekë qira.
Megjithëse është njoftuar disa herë nga Bashkia Skrapar për të likujduar detyrimin, përsëri nuk ka paguar, por ka vazhduar aktivitetin, madje në mungesë edhe të kontratës së qirasë për vitet në vazhdim. Por shkeljet e këtij subjekti me pronar Arben Goga, nuk janë vetëm në shfrytëzimin e fondit pyjor pa paguar dhe pa kontratë, por edhe për mos ripyllëzimin e sipërfaqes pyjore, të cilën e ka prerë për të ndërtuar ose instaluar objektet e hidrocentralit.
Ligji për pyjet dhe aktet nënligjore përcaktojnë se subjektet që për ushtrimin e aktivitetit në fond pyjor, u duhet që të presin pemë të fondit pyjor, kanë detyrimin që për mbrojtjen e mjedisit etj, ta ripyllëzojnë.
Pra kompania HP Vëndresh Energy Sh.P.K me pronar Arben Goga, shkel hapur disa ligje, si ligjin për taksat dhe tarifat vendore, ligjin për pyjet, ligjin për mbrojtjen e mjedisit etj.
Në vijim do të publikojmë fakte të tjera.