Gazetari Ferdinand Dervishi ka folur lidhur me operacionin e SPAK me 10 të arrestuar dhe kapjen e 48 tonë lëkurë gjedhësh të regjura në kokainë që erdhi nga Brazili për t’u përpunuar dhe ekstraktuar në laboratorë të ngritura në Tiranë, Fushë-Krujë dhe rrethe të tjera të vendit.
Ferdinand Dervishi ka treguar detaje nga hetimet, aktiviteti i narkotrafikut të karteleve, rrugët që ndiqen dhe përfshirjen e organizatave kriminale në biznesin ilegal fitimprurës.
Gazetari u shpreh ndër të tjera se kokainën nuk e prodhon dhe trafikon vetëm Kolumbia, por edhe Peruja, Bolivia dhe tani Brazili.
“Pjesa më e madhe e kokainës vjen nga Brazili. Nuk e prodhon vete, por vjen në rrugë detare në masën 80% e gjithë kokainës që futet në Evropë, si Belgjikë dhe Holandë, portet Roterdam dhe Antverp. Brazili është konsumatori më i madh i kokainës pas SHBA-ve, ky është shkak edhe pse kalon aty. Në SHBA hyn nga Meksika, në dy rrugë, tokësore dhe detare. Nga Brazili bëhet shpërndarja prej porteve të mëdha që ka. 2 mijë tonë në vit është prodhimi vjetor në Brazil. Bandat ushqejnë tregun e Brazilit me 9 mld euro treg kokainë”,tha Dervishi për “Report Tv”.
Kjo dinamikë dhe hartë biznesi ilegal, sipas tij ka bërë që edhe shqiptarët ta ndjekin atë treg. Ai thekson se koka vjen e pastër e fshehur në banane dhe në rroba apo lëkurë si rasti i fundit. Më pas përzihet dhe bëhet gati për treg.
“Aktualisht atje është tregu, kurse shqiptarët duan të punojnë vetë, për veten e tyre, të rrisin sa më shumë fitimet. Ata po bëhen klientë të kokainës që vjen nga Brazili. Vjen kokaina e pastër e fshehur në banane, por dhe në rroba dhe lëkurë si rasti i fundit, pra me dy mënyra. Vijnë në Shqipëri si produkte të ligjshme, pastaj vjen loja tjetër e ekstraktimit nga rrobat dhe të tjerat, për ta bërë gati për treg dhe shitje”, u shpreh gazetari.
Por pse kjo metodë e preferuar nga klanet e narkotrafikut?
Sipas gazetarit, lëkura ka avantazh sepse ka edhe një erë të rëndë, edhe për qentë antidrogë të cilët do të kenë vështirësi për ta nuhatur.
“Ata kanë llogaritur se risku është më i vogël me kimistë, sesa kur vjen e pastër (me pako). Më pak e rrezikshme ta marrësh të fshehur dhe rrezik më i madh ta marrësh të gatshme. Lëkura ka avantazh sepse ka edhe një erë të rëndë, edhe për qentë antidrogë, vështirësitë për ta nuhatur. Metoda pa fund për ta sjellë drogën nga Brazili dhe vendet e tjera. Ka provuar këto taktika, si; në rroba, kuti sapuni, flokë, vithe false, skulptura, mish etj”, shpjegon Dervishi.
Ai tregon se vështirësitë nisin pasi mbërrin në destinacion. Sikurse hyrjet e shtetasve të huaj nga Amerika Latine.
“Pyetjet që ngrihen se çfarë janë këta venezuelianë apo kolumbianë që hyjnë në Shqipëri. Më tej aktivizohen infiltrimet me policinë apo dhe me DEA-n amerikane. Kjo ka qenë një dërgesë që monitorohej, edhe vizita që SPAK bëri në Brazil, apo lëvizjet e DEA-s. Duke iu referuar edhe asaj që ndodhi në Xibrakë, që mund të nxirrej sasi e konsiderueshme lëndë narkotike nga solucionet. Pra Porti i Durrësit mendohet se është pika hyrëse e ngarkesës”, thotë gazetari.
Kurse për logjistikën dhe bazat, ai shprehet se janë zgjedhur terrene larg lëvizjeve dhe vëmendjes së popullatës, e që nuk bien në sy.
“Janë zgjedhur këto zona për shkak të terrenit, pak njerëz që lëvizin, ka shkurre, pemë dhe larg dyshimeve, ose afër aeroportit apo edhe pse jo krejt rastësisht, afër zonës së Rinasit. SPAK e partnerët vëzhguan në heshtje këtë rrjet kriminal të trafikut. Në Shqipëri ka dhe potencial korrupsioni të lartë, niveli i sigurisë dhe fakti se jemi ndër vendet e fundit në Europë, pra ka problematika. Këto grupe kriminale duke qarkulluar lekun janë të rrezishme, ndaj edhe kreu i SPAK foli me atë gjuhë, sepse ata mund të cenojnë edhe zgjedhjet, të korruptojnë apo të ndikojnë në rezultate zgjedhore”, shpjegon Dervishi.
Dhe në fund ai lë të kuptohet se tashmë grupet shqipfolëse duan të kenë më shumë dominancë në tregun e narkotikëve.
“Shqiptarët duket se nuk duan të jenë më çirakë të të tjerëve, por të rrisin fitimet, të jenë edhe vetë dora e parë e aktivitetit”, përfundon Dervishi.