Media britanike The Sun i ka kushtuar një artikull të detajuar mënyrës sesi rrjetet kriminale shqiptare po përdorin TikTok-un për të reklamuar vende pune si shpërndarës droge në Britaninë e Madhe. Përmes postimeve me simbole dhe kode të fshehta, këto grupe po rekrutojnë të rinj shqiptarë, duke u premtuar paga të larta, por njëkohësisht duke i futur në një rrugë pa kthim.
Sipas investigimit, në TikTok qarkullojnë reklama që premtojnë paga deri në 6000 paund në muaj, pa taksa, për ata që pranojnë të shpërndajnë kokainë dhe kanabis nga Glasgow deri në jug të Anglisë. Në një nga këto postime, emoji flokë dëbore ❄ përdoret si kod për kokainën, ndërsa pemët e Krishtlindjeve 🎄 dhe pjatat me bar 🌿 tregojnë për shtëpitë e kultivimit të kanabisit.
Një nga shpalljet më të spikatura shfaq një foto të Regent Street në Londër me autobusa të kuq klasikë, të shoqëruar me tekstin:
“Kërkohet shofer ❄ me eksperiencë në Perëndim të Londrës. Puna 7 ditë në javë, 200 paund dita. Makina, karburanti të paguara. Vetëm njerëz seriozë!”
Një komentues shqiptar i përgjigjet: “3 vite burg për 200 paund në ditë nuk ia vlen.”
Në një tjetër postim, kërkohen tre punëtorë për një “shtëpi bari”, me një ofertë që përfshin akomodim falas dhe pagë deri në 1,700 paund në javë.
Pasi investigimi i The Sun doli në dritë, TikTok fshiu disa nga llogaritë që shpërndanin këto reklama, duke deklaruar se “nuk lejon promovimin e aktiviteteve të paligjshme”. Megjithatë, historia tregon se profile të reja krijohen menjëherë sapo të vjetrat fshihen, duke e bërë të vështirë ndalimin e këtij fenomeni.
Pavarësisht operacioneve të forcave të rendit, rrjetet kriminale shqiptare vazhdojnë të kontrollojnë një pjesë të madhe të tregut të drogës në Britani, duke u bërë një nga sfidat kryesore për National Crime Agency dhe autoritetet britanike. Ndërkohë, për të rinjtë shqiptarë që bien pre e këtyre skemave, një jetë e shkatërruar dhe një qeli burgu në Britani mbeten e vetmja “pagë” e sigurt.