Gazetarja Klodiana Lala u shpreh në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV se qeveria shqiptare po bën tentativë për ta groposur çështjen e mbetjeve toksike dhe për të pastruar imazhin e kompanisë “Kurum”. Ajo tha se anija është në radë në vend që të ankorohej, të sekuestroheshin konteinerët dhe të merreshin mostrat për të parë se ç’kanë brenda.
“Ka një tentativë të qeverisë për ta groposur këtë çështje dhe për të pastruar imazhin e kompanisë “Kurum”. Anija e nisur nga Truqia është në radën e jashtme të portit të Durrësit.
Është një histori korrupsioni e grupeve të strukturuara kriminale në bashkëpunim me qeverinë shqiptare dhe që nga ora 7.30 e mëngjësit anija nuk është ankoruar në portin e Durrësit.
Në vend që të ankorohej dhe të sekuestroheshin konteinerët dhe të merreshin mostrat për të parë se ç’kanë brenda, qeveria bën një sy qorr dhe vesh shurdh. Nuk është vetëm histori e Shqipërisë, por edhe ndërkombëtare, na tregon se si kompania “Kurum” ka prodhuar mbetje të rrezikshme që nuk dihet se ku kanë shkuar, sepse kompania mban përgjegjësi për shkatërrimin e mbetjeve. Ajo nuk e pranoi fillimisht se ishte mbetjet e saj, derisa doli Xhovana Sokolaj që foli.
Rrjeti i Bazelit është me përfaqësues në Durrës dhe kanë frikë se qeveria shqiptare mund ta mbyllë procesin. Gjatë hetimit që kur shpërtheu alarmi, se është edhe një anije tjetër në Kinë. Përtej këtij hetimi, prokuroria duhet të sqarojë nëse ka patur raste të tjera, ku janë asgjësuar”- tha Lala.