Detaje të reja janë zbardhur nga atentati ndaj 27- vjeçarit Klaudio Prendi, i cili u vra me selenciator 1 ditë më parë sapo hyri në makinën e tij “G Class”. Dyshohet se 27- vjeçari kohët e fundit kishte përplasje me persona të tjerë për borxhe.
Konkretisht bëhet me dije se viktima kishte një borxh afro 15 mijë euro.
Madje ditët e fundit mësohet se Prendi kishte pasur përplasje pasi nuk kishte kthyer borxhet ku është konfliktuar me grushte me persona të tjerë.
Arma e krimit dyshohet se ishte pistoletë me silenciator. Babai i viktimës ish-gjyqtari Fran Prendi në dëshminë e tij ka thënë që ishte në dijeni që djali i tij kishte konflikte me të tjerë, por jo deri sa të përfundonte në atentat.
Makina luksoze që përdorte viktima nuk ishte në emër të tij, por të një vajzë.
Si ndodhi atentati?
27- vjeçari Klaudio Prendi, i cili ishte djali i ish-gjyqtarit Fran Prendi, u vra me breshëri plumbash pak pas mesnates së 19 nëntorit. Prendi ishte në një lokal me miqtë në zonën e njohur si ‘Xhamlliku’, ku u vra me armë zjarri silenciator sapo doli për të hipur në makinë rreth orës 00:36.
Autorët, të cilët dyshohet se ishin 3, shoferi, qitësi dhe një person që i ka ndihmuar për t’u larguar, e kanë vëzhguar djalin e ish-gjyqtarit. Ata e kanë pritur të riun, që ishte në lokal me miqtë, derisa doli dhe në momentin që po hipte në makinën e tij e kanë qëlluar me silenciator. 27-vjeçari mori të paktën 5 plumba në trup, dy prej tyre në kokë dhe gjoks që ishin fatale. Shokët e viktimës dalë kanë me vrap nga lokali dhe e kanë nisur Prendin drejt spitalit të Traumës, por ai nuk u mbijetoi dot plagëve.
Një skemë tipike atentati. Makina e autorëve ka ardhur nga zona e Freskut dhe pas vrasjes e kanë djegur ‘Audi’-n në zonën e Farkës. Pasi kanë qëlluar drejt të riut, shoferi dhe qitësi, janë larguar në drejtim të qendrës dhe mjeti duke u djegur rreth orës 01:05 në Farkë. Një person i tretë dyshohet se i ka ndihmuar të largohen.
Makina e autorëve Audi A4 ka pas targa greke të mbivendosura dhe ende nuk është këqyrur numri i shasisë pasi është dëmtuar nga djegia. Agjentët e policisë kriminale po përpiqen të përftojnë të dhëna për të mësuar pronësinë e makinës, nëse rezulton apo jo e vjedhur.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e ngjarjes dhe janë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë në zonë, ndërkohë që disa persona janë shoqëruar në polici për t’u marrë në pyetje. Burimet thonë se Prendi kohët e fundit kishe disa sherre me persona të tjerë, konflikte që po hetohen nga policia.
Klaudio Prendi nuk është emër i panjohur për blutë, pasi më 6 maj 2023, ai ka qëlluar me armë zjarri në qytetin e Pukës. Për këtë ngjarje i riu ishte shpallur në kërkim, ndërkohë që asokohe raportohet që kishte qëlluar me armë zjarri në ajër nga një makinë mjaft e shtrenjtë ‘Maserati’. Ngjarja asokohe mori nuanca poltike, për shkak se Prendi njihej edhe si krahu i djathtë i kandidatit ‘Bashkë Fitojmë’ Rrok Dodaj.
Prendi është djali i ish-gjyqtarit Fran Prendi, i cili u dorëhoq nga sistemi i drejtësisë në vitin 2020, pas nisjes së procesit të vettingut. Ish-gjytari Prendi e nisi karrierën në Gjykatën e Pukës, në vitin 2006 është transferuar në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda dhe për një periudhë shumë të shkurtër kohore ka qenë edhe gjyqtar në GJKKO dhe më pas u dorëhoq pa u vënë në filtër për pasurinë, integritetin profesional dhe pastërtinë e figurës.