Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka nënshkruar sot një protokoll bashkëpunimi me Prokurorinë e Përgjithshme dhe SPAK për forcimin e integritetit dhe besueshmërisë së procesit zgjedhor për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.
Sot në ambientet e KQZ, ishin të pranishëm në një takim me Celibashin, kreu i SPAK, Altin Dumani dhe kryeprokurori i përgjithshëm Olsian Çela.
Ky protokoll i nënshkruar mes tre palëve synon të parandalojë dhe ndjekë veprat penale që lidhen me zgjedhjet, duke krijuar mekanizma të shpejtë dhe efikas për shkëmbimin e informacionit mes institucioneve, bën me dije KQZ.
Bashkëpunimi do të ndihmojë në parandalimin e krimeve zgjedhore dhe në ndëshkimin e çdo shkeljeje që cenon procesin zgjedhor, duke garantuar një proces të drejtë dhe të lirë. Ky angazhim është pjesë e përpjekjeve për të forcuar transparencën dhe besimin e qytetarëve tek zgjedhjet dhe institucionet përgjegjëse.
Njoftimi i KQZ në rrjete sociale:
Sot në mjediset e KQZ Shqiperi, së bashku me Prokurorin e Përgjithshëm, z. Olsian Çela dhe Drejtuesin e SPAK, z. Altin Dumani, nënshkruam Protokollin e Koordinimit dhe Bashkëpunimit mes Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Ky protokoll është një hap i rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit institucional për të garantuar integritetin dhe besueshmërinë e procesit zgjedhor për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.
Nëpërmjet këtij protokolli parashikohen masa të përbashkëta për parandalimin, identifikimin dhe ndjekjen e veprave penale që lidhen me zgjedhjet, si dhe krijimi i mekanizmave të qëndrueshëm për shkëmbimin e shpejtë dhe efikas të informacionit mes institucioneve të përfshira.
Ky bashkëpunim i strukturuar synon jo vetëm parandalimin e krimeve zgjedhore, por edhe ndëshkimin e çdo shkeljeje që cënon procesin zgjedhor, duke forcuar kështu drejtësinë zgjedhore dhe duke garantuar që çdo veprim kundër votës së lirë të marrë përgjigjen e duhur ligjore.
Me këtë marrëveshje, KQZ, Prokuroria e Përgjithshme dhe SPAK riafirmojnë angazhimin e tyre për një proces zgjedhor të drejtë, të lirë dhe në përputhje me standardet demokratike dhe normat e Bashkimit Evropian.
Protokolli është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të rritur transparencën dhe për të forcuar besimin e qytetarëve tek zgjedhjet dhe institucionet përgjegjëse për administrimin dhe monitorimin e tyre.
Bashkëpunimi do të vijojë gjatë gjithë periudhës zgjedhore, me koordinim të pandërprerë mes palëve për të garantuar që çdo rast i dyshuar apo çdo përpjekje për të ndikuar në procesin zgjedhor të adresohet me përgjegjshmëri dhe profesionalizëm.