Shtatë persona kanë humbur jetën gjatë dy ditëve të fundit si pasojë e aksidenteve rrugore, duke bërë që rrugët e vendit tonë të kthehen edhe një herë në skena ngjarjesh të rënda.
Gjithçka nisi pak pas mesnatës së 20 marsit, ku në Fushë-Prezë, një automjet tip “Benz” ku po udhëtonin 4 të rinj, u përplas me një kamion të lënë në rrugë nga 24-vjeçari Aleksandër Krrashi. Si pasojë e përplasjes makina shpërtheu në flakë, duke djegur vëllezërit Enejdi dhe Erlind Laçi, 25 dhe 20-vjeç, kushëririn e tyre Andi Laçi 22-vjeç dhe shokun që udhëtonte me ta Enrikejd Kurti, 24-vjeç.
Gjatë pasdites së djeshme, një furgon që drejtohej nga 52-vjeçari me inicialet L. D., humbi kontrollin naë aksin Klos-Burrel, duke përplasur një të mitur 4-vjeçar. Ai u dërgua në spital, por fatkeqësisht nuk i mbijetoi lëndimeve që mori.
Dita nuk u mbyll me kaq, pasi disa orë më vonë një tjetër aksident do të raportohej në Bulqizë, në vendin e njohur si “Ura e Vocit”. Një makinë që drejtohej nga një 64-vjeçar me inicialet S. H., humbi kontrollin dhe përplasi mësuesen e gjimnazit “Arbëria” Hysnije Murra 59-vjeçe. Mësuesja humbi jetën në vendin e ngjarjes.
Këtë të premte herët në mëngjes, një aksident tjetër u njoftua në rrugën “Prizreni” në qytetin e Kukësit, ku një automjet që drejtohej nga një 20-veçar me inicialet A. B., përplasi një ciklomotor ku po udhëtonte 51-vjeçari Sadik Murtafi. Ky i fundit u dërgua me plagë të shumta në spital, por nuk mundi të mbijetojë.
Kështu, në më pak se 48 orë, në Shqipëri kanë humbur jetën 7 persona në aksidente automobilistike. Situata konsiderohet e rëndë, prandaj marrja e masave të menjëhershme nga Policia Rrugore për të monitoruar drejtuesit e mjeteve, duket si diçka e domosdoshme për të shmangur tragjedi të tjera.