Ilir Meta ndodhet në qelitë e paraburgimit të burgut 313 në kryeqytet. Fillimisht presidenti i Partisë së Lirisë gjendej në godinën A, por tashmë është zhvendosur në zonën B.
Gazetarja Anila Hoxha, në emisionin “Breaking” tregoi gjendjen e liderit të PL-së si dhe kërkesën e tij të fundit për gardianët e burgut.
“Ilir Meta ndodhet vetëm në qeli në zonën B të burgut 313-të. Ai ka preferuar të qëndrojë i veçuar nga të tjerët, ndërsa i ka kërkuar gardianëve të burgut nëse ka një ambient palestre që të merret me sport”, tha gazetarja Anila Hoxha.
Presidenti i Partisë së Lirisë akuzohet për 3 vepra penale: korrupsion, mosdeklarim të pasurisë dhe pastrim i produkteve të veprës penale. Aktualisht ai është lënë në masë sigurie burg pa afat.
Gjyqtari i posaçëm Erjon Çela la të pandryshuar masën e arrestit në burg për ish-presidentin Meta.
Çifti Meta-Kryemadhi akuzohen se ndër vite kanë ushtruar pushtetin e tyre për të përfituar pasuri në mënyrë të paligjshme dhe kanë fshehur burimin e tyre duke përdorur edhe familjarët. 2 dosjet ndaj Metës, Cez-Dia dhe lobimi në SHBA janë bashkuar tashmë në 1 hetim.
Ndaj Piro Xhixhos, babai i Erisa Xhixhos, rëndon akuza korrupsion pasiv. Sipas SPAK ai dyshohet se ka shfrytëzuar autoritetin e tij si Kryetari i AKEP-it, ku u propozua nga LSI-ja, dhe në zbatim të porosive të marra nga Meta dhe Kryemadhi ka ndikuar tek drejtuesit e kompanisë telefonike celulare për finalizmin e marrëveshjes, si dhe ka lejuar kompaninë private të ushtrojë aktivitetin e saj në shkelje të ligjit të AKEP.
Ndërsa ndaj Ema Çokut rëndon akuza e pastrimit të parave.