Drejtori Fondit Shqiptar të Zhvillimit Dritan Agolli është marrë këtë të martë për rreth dy orë në pyetje nga Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Gazetari Xhevahir Zhabina tha në MCN Tv se duke pasur parasysh që ka qenë i pashoqëruar, do të thotë që është marrë në pyetje në cilësinë e personit që ka dijeni për hetime të nisura nga Prokuroria e Posaçme ndaj tij, vartësve apo institucionit që ai drejton.
Zhabina tha se SPAK ka nisur një hetim kryesisht për një tender 500 mijë euro për krijimin e një menuje për projektin e 100 fshatrave dhe që do i jepej kuzhinierit Alfio Rrotani, i cili punonte në restorantin e djalit të Agollit.
Po ashtu Zhabina tha se PD, ka bërë një tjetër kallëzim për Agollin. Opozita akuzon kreun e FSHZH për një tender që ka të bëjë me rikualifikimin e qendrës së Vlorës, rreth 9-10 milionë euro, të cilin Agolli ia ka dhënë një kompanie që ofronte një ofertë me 2 milionë euro më shumë.
“Duke pasur parasysh që ai ka qenë i vetëm në Prokurorinë e Posaçme, i pashoqëruar nga një avokat duket që është marrë në pyetje në cilësinë e personit që ka dijeni për hetime të nisura nga Prokuroria e Posaçme ndaj tij, vartësve të tij dhe institucionit që ai drejton prej vitit 2019. Është në krye të FSHZH. Është një institucion që tenderon 100-120-150 milionë euro në vit. Është një nga institucionet më të rëndësishme për shkak të tenderave që zhvillon.
Një ndër projektet që ky institucion trashëgoi nga Ministria e Bujqësisë ka qenë projekti i 100 fshatrave, një projekt që duket se është lënë në harresë, për shkak se pavarësisht se u kërkua rilindja e fshatrave duket që nuk ka ecur ashtu siç duhet pasi ka pasur mungesa të mëdha fondesh për të realizuar atë rilindje që u premtuar nga qeveria prej vitesh. Një prej tenderave që ka bërë përshtypje në fillim të 2022, ka qenë krijimi i një menuje për 100 fshatra turistikë. Ndërkohë që ishte një tender me vlerë, 500 dollarë dhe bëhej fjalë që do krijoheshin 100 menu për 100 fshatra turistikë. Dukej që ishte një tender i nisur keq, i fituar nga kompania e Alfio Rrotanit, një kuzhinier i njohur me Endrit Maçin dhe këta persona u shpallën fitues. Dukshëm kishim të bënim me një konflikt interesi të pastër pasi kuzhinieri Alfio Rrotani punonte si kryekuzhinier tek restoranti i djalit të drejtorit të Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Duke pasur parasysh se çfarë ndodhi ato ditë pasi media fliste shumë ky tender u anuluar, por aso kohe Prokuroria e Posaçme e ka nisur kryesisht këtë hetim pas raportimeve të ndodhura në media. Është një hetim i nisur kryesisht nga SPAK pas lajmeve në media.
Në dijeninë time PD ka bërë një kallëzim tjetër për Agollin, është i vitit 2022, akuzohet për një tender që ka të bëjë me rikualifikimin e qendrës së Vlorës, rreth 9-10 milionë euro. PD akuzon se kemi të bëjmë me shkelje të barazisë në tendera pasi kompania fituese e ka fituar këtë tende me gati 2 milionë euro më shumë sesa kompania tjetër që kishte bërë një ofertë me 2 milionë euro më pak”, tha ai.