Manjola Hysenaj është një nga anëtaret e grupit Çopja që pastron paratë e pista të organizatës kriminale në Shqipëri. Sipas SPAK, vëllezërit Franc e Hajdar Çopja, përpos të tjerave, kanë kamufluar një hotel në emrin e Manjola Hysenajt. Bëhet fjalë për Hotel Domus në Tiranë, një investim miliona euro, i sekustruar nga SPAK si pasuri produkt i veprimtarisë kriminale.
Vëllezërit Çopja, të akuzuar për 4 vrasje, 14 vrasje në tentativë, trafik droge, pastrim parash etj., kanë lidhje edhe me Hotel Supreme në Qerret, një investim miliona euro, kamufluar me një kompani fantazmë, të quajtur Ergi shpk, e cila dyshohet se është përdorur si mburojë e parave të drogës.
Në nëntor të vitit 2022, e besuara e grupit Çopja, Manjola Hysenaj, ka blerë 25 % të aksioneve të kompanisë Ergi, e cila mbulon Hotel Supreme.
Ka dyshime se Hotel Supreme mund të jetë një investim grupit Çopja, bashkë me Elvis Roshin, Gentjan Dajën dhe Ergys Hoxhën, që të gjithë me të shkuar kriminale në Itali. Nga ana tjetër, SPAK thotë se veprimtaria kriminale e dy vëllezërve Çopja daton rreth viteve 2006 – 2007, ku fillimisht e kanë ushtruar aktivitetin kriminal në Itali duke shpërndarë në sasi të vogla lëndë narkotike të llojit kokainë. Me kalimin e viteve ata u fuqizuan shumë nga shitja dhe trafikimi i drogës, ku nga Italia e shtrinë aktivitetin e tyre kriminal edhe në vende të tjera të Evropës dhe më gjerë.
Në vitin 2023, grupi Çopja nisi të ekspozohej përballë drejtësisë. Në fund të vitit 2023, pak para se SPAK të godiste grupin Çopja, përfaqësuesja e tyre Manjola Hysenaj ia shet aksionet e kompanisë Ergi, që mbulon Hotel Supreme, Gentian Parrucës.
Historia e dyshimtë e Hotel Supreme
Pas këtij hoteli luksoz me emër që simbolizon shkallën dhe rangun më të lartë, fshihet një histori pastrimi parash i rangut po aq të lartë, histori kamuflimi, korrupsioni me paratë publike, grabitje, manipulim bilanesh dhe veprimesh fiktive, duke e kthyer objektin në një aset kriminal që duhet të ishte sekuestruar me kohë nga drejtësia.
Supreme Hotel, në Rrugën Besa në Qerret të Golemit, është një investim miliona euro, kamufluar me një kompani fantazmë me kapital 300 mijë lekë, pas të cilës qëndrojnë figura të krimit dhe trafiqeve, subjekte të ligjit anti-mafia, i cili në këtë rast nuk ka gjetur zbatim.
Ata dyshohet se janë ish nëndrejtori doganave, Ergys Hoxha, i njohur si Gysi i drogës, Gentjan Daja, i akuzar si i dënuar për trafik kokaine në Itali dhe Gjermani, si dhe Elvis Rroshi me 4 emra, i dënuar për përdhunim në grup në Itali, i arrestuar dy herë dhe i dëbuar dy herë nga Zvicra.
Gentian Daja dhe Elvis Rroshi dalin drejtëpërdrejtë si pronarë të hotelit Supreme, ndërsa Gysi i drogës dyshohet se kamuflohet me persona të tjerë.
Po le t’i marrim faktet me radhë
Elvis Rroshi, Gentjan Daja dhe Ergys Hoxha, që të tre subjekte të ligjit anti-mafia, janë shokë në punë të paligjshme.
Në dhjetor të vitit 2006, Elvis Rroshi dhe Gentian Daja themelojnë kompaninë fantazmë të ndërtimit Ergi shpk, me nipt K72522812K, me kapital 300 mijë lekë.
Fusin mbi 800 mijë euro para të pista në këtë kompan që vitin e parë i dhe e pezullojnë. Kompania vetëm në letra, herë pezullohet dhe herë aktivizohet.
Rroshi dhe Daja kujtohen në vitin 2018 për të miratuar bilancet e kompanisë. Arsyeja se pse i miratuan bilancet në 2018 ka të bëjë me faktin se nisin ndërtimin e hotelit luksoz me 5 yje, me para që nuk u dihet burimi.
Një investim miliona euro bazohet në disa bilance të rreme të një kompanie në letra me kapital 300 mijë lekë.
Sot hotel Supreme rezultinn në pronësi të Gentjan Daja dhe Gentian Parruca.
Treshja fshihet pas PS-së dhe pushtetit
Ergys Hoxha, i njohur si Gysi i drogës, ka qenë nëndrejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Doganave, duke pasur në varësi Drejtorinë Hetimore dhe atë Operacionale, e cila përdoret për komtrabandë, zhvatje etj.
Më herët, Ergys Hoxha ishte drejtor i Antikorrupsionit në Kryeministri.
Gentjan Daja ka qënë kryetar i PS-së në Kavajë. Ai dha dorëheqjen në mars të vitit 2017, pasi tentoi të bënte bashkëshorten e tij, Silvana Daja, kryetare të Bashkisë Kavajë, pas rrëzimit të Elvis Rroshit nga ligji i dekriminalizimit.
Skema dështoi pasi Daja u denoncua nga opozita si trafikant droge dhe Rama u tëhoq, pasi mund t’i përsëritej historia me Elvis Rroshin.
Ndërsa Elvis Rroshi ishte kryetar i Bashkisë Kavajë, i cili u shkarkua, u mor i pandehur dhe u dënua më pas sepse rezulatoi i dënuar në Itali për përdhunim në grup.
Kompani që mbulon hotelin mori para publike
Elvis Rroshi me 4 emra, dy dënime, 3 arrestime dhe dy dëbime, u zgjodh kryetar i Bashkisë Kavajë në vitin 2011. Kompaninë Ergi që kishte themeluar në vitin 2006, e kaloi në emrin e Gentjan Dajës. Gentjan Daja ishte pjesë e strukturave të PS-së dhe më vonë kryetar i PS-së Kavajë. Nga viti 2012 deri në vitin 2016, Rroshi dhe Daja kanë marrë para publike nga Bashkia Kavajë me tendera.
Rroshi i jepte tendera Gentjan Dajës, të cilit i kishte kaluar për mbulim kompaninë. Skema e korrupsionit zbatohet disa vite. Paratë e korrupsionit përzihen më pas me para trafiqesh, duke ndërtuar Supreme hotel.