E kanë quajtur “Baroni i drogës”, “Mbreti i kοkainës”, “Cari”, “Mjeshtri i arratisjeve”, “Escobari i ri”… Epitetet për të janë të shumta të mediave nga Shqipëria në Itali, nga Shtetet e Bashkuara dhe deri në Ekuador. E tillë ka qenë edhe jeta e Dritan Rexhepit që vetëm 44 vjeç mban mbi shpinë akuza për vrasje, rrëmbime, trafik ndërkombëtar droge, falsifikime, etj.
Sa të shumta janë epitetet, aq janë edhe identitetet e tij. Kur lindi në vitin 1980 në Velcë të Vlorës, një fshat malor ku prindërit e tij të 4 fëmijëve merreshin me bagëti dhe vreshtin e quajtën Gramoz.
Jeta do ta detyronte më pas të ndërronte disa herë identitetin. Në fillim në Shqipëri ku një herë u prezantua si Lulzim Murataj, pastaj si Dritan Rexhepi, por edhe si Edmir Kraja. Të njëjtën taktikë ndodhi edhe në përballjet e tij me drejtësinë në Europë derisa në Ekuador u prezantua si një biznesmen dhe investitor grek me emrin Dioniso Poulos. Në fund në Stamboll, kur iu vunë prangat në një vilë luksoze iu gjet një pasaportë me emrin Benjamin Omar Pérez García.
Trazirat e 1997-ës e gjetën në Vlorën e shkatërruar ku familja e tij u shpërngul nga fshati “për një jetë më të mirë”. Fillimisht ndihmonte në biznesin e familjes, por “bota e nëndheshme e krimit” dukej se po e tërhiqte me prapësi të vogla që sa vinin e rëndoheshin. Në një nga rrëfimet e tij të rralla për gazetarët është shprehur se dëshira e rinisë ishte të futej në një shkollë për drejtësi. Në fakt me drejtësinë do të ketë punë gjatë gjithë jetës, por në anën tjetër të saj. Në moshën 19-vjeçare kreu krimin e tij të parë.
Në 6 tetor 1999 në një lokal në Krujë ai vrau efektivin e policisë Durim Kasmi ndërsa la të plagosur pronarin e lokalit, Ramazan Bakiu që ndërroi jetë pas disa ditësh në spital. Për këtë ngjarje do të dënohej me 25 vite burg. 40 ditë më parë Kruja ishte tronditur nga vrasja e policit Arben Keqi, ngjarje për të cilën u hetua edhe Dritan Rexhepi, por autorësia nuk u provua.
Fillimisht, u arrestua në 2007-ën duke pirë kafe në ambientet e “Hotel Tirana” së bashku me mikun e tij Nadien Zeneli. Pas arrestimit u transferua në Durrës pasi vrasjen e Krujës e kishte hetuar kjo drejtori policie. Këtu ndodhi edhe arratisja e tij e parë. Një oficer dhe zëdhënësja e policisë e nxorën nga dhoma e shoqërimit, për t’i bërë një foto, me qëllim publikimin e lajmit të arrestimit të tij, në shtypin e kohës.
Kur u kthye në qeli iu nënshtrua marrjes në pyetje, por me largimin e hetuesve pa se dera ishte e hapur. Ai ktheu xhupin nga ana tjetër dhe doli nga shkallët me një dosje nën sqetull që gjeti aty rastësisht duke u hequr si hetues. Rojës në hyrje iu drejtua: “Mbarova për sot” dhe që aty humbi gjurmët.
Pas arratisjes në Durrës, Rexhepi u arrestua në Holandë dy vjet më vonë dhe u ekstradua në Itali. Atje ai ishte dënuar ndërkohë për trafik kokaine. Në vitin 2011, ai dhe dy të burgosur të tjerë u arratisën nga një burg në jug të Milanos. Rexhepi dhe dy të tjerë përdorën një sharrë hekuri për të prerë hekurat e një dritareje në një korridor… Ata arritën në katin e parë me çarçafë.
Shoqëruesit e tij ishin dënuar për krime të rënda të dhunshme. Pasdite pak para arratisjes, të tre ishin së bashku me të burgosurit e tjerë në oborr për t’u ajrosur. Ata dolën jashtë për pak minuta. Aty vazhduan në këmbë. Në një zonë rurale, ata ndaluan një makinë, e tërhoqën shoferin dhe u zhdukën pa lënë gjurmë.
Më vonë në vitin 2011, Rexhepi u arrestua në Spanjë. Nuk dihet se si ia doli për të mos shkuar në Itali për të vazhduar dënimin. Në vend të kësaj, u dërgua në Belgjikë sepse atje ishte dënuar në vitin 2009 nga Gjykata e Apelit për një grabitje të dhunshme. Ndonëse tashmë ishte në listën e të arratisurve të Interpolit – sepse kërkohej në Shqipëri për një vrasje të dyfishtë dhe në Itali për vuajtje të dënimit – Rexhepi përfundoi në burgun e Merksplas pranë Antwerp-it. Ky ishte një burg i sigurisë mesatare dhe autoritetet nuk ishin të informuar për “kalibrin” e tij.
Në vjeshtën e vitit 2011, Rexhepi arriti të largohej nga Merksplas së bashku me një tjetër të burgosur. Ai u fsheh, por mbeti në Beneluks, dhe ndoshta ka jetuar në Roterdam, por ndoshta edhe në Spanjë. Aty doli emri i tij si i dyshuar për përfshirje në një sërë grabitjesh bankash.
Që nga ai moment, Rexhepi dhe një sërë bashkatdhetarësh filluan të ndërtonin një rrjet që merrte sasi të mëdha kokaine në portet e Roterdamit dhe Antwerp dhe që e shpërndante atë në të gjithë Evropën, por veçanërisht në Itali.
Prokuroria e Firences e quajti më vonë rrjetin “Kompania Bello”: një kartel prej 14 organizatash kriminale shqiptare që ishte aktive në Ekuador, Holandë, Belgjikë, Shqipëri dhe Itali të paktën nga viti 2014. Rexhepi kishte nën urdhra të drejtpërdrejtë një numër shqiptarësh në Ekuador, Holandë, Itali dhe Shqipëri dhe partnerë biznesi në pjesën më të madhe të Europës Perëndimore, të cilët kontrollonin kanalet e shpërndarjes së kokainës në të gjithë kontinentin.
Teksa grupi i Rexhepit u zgjerua, ai kërkoi të binte në sy. “Le të dalim në treg me emrin tonë”, i shkruante koordinatori i grupit në Itali, Rexhepit në mars 2016. “Marka jonë ende nuk njihet”. Në nëntor 2013 ka qëndruar në Shqipëri, moment kur doli nga dogana e Kakavijës në Gjirokastër me emrin fals, Lulzim Murataj. Pasaportën me këtë emër e kishte nxjerrë në Fier. Për këtë falsifikim është dënuar në mungesë në 2015-ën me 4 vite burg.
Duke parë se ishte kërkuar në të gjithë Europën vendosi të shkojë larg, në Amerikën Latine. Në Ekuador, bashkëpunëtorët e lidhën me një njeri që kishte kontakte shumë të mira me prodhuesit e kokainës në atë kohë, Cesar Emilio Montenegro Castillo, i njohur edhe si “Don Monti”. Ai kishte lidhje me prodhuesit kolumbianë, një grup i njohur më parë si “Karteli Norte del Valle”.
Raportet e mediave ekuadoriane citojnë se Rexhepi që prezantohej si biznesmen grek mbante një marrëdhënie me milionerin vendas Rubén Cherres. Mes tyre ata themeluan të paktën 13 kompani, shumica të lidhura me ndërtimin dhe të pasurive të paluajtshme. Të gjitha në funksion të pastrimit të parave.
Në qershor të vitit 2014, Rexhepi u arrestua në Quito, kryeqyteti i Ekuadorit, si pjesë e një operacioni droge nga policia që sekuestroi 278 kilogramë kokainë. Për këtë ai u dënua me 13 vite burg. Gjykata e Lartë në Ekuador vendosi që pas vuajtjes së dënimit ai të ekstradohej në Shqipëri për vrasjen e dyfishtë.
Në gusht të vitit 2021, duke tërhequr fijet e duhura në prapaskenë, atij iu ndryshua dënimi në “arrest shtëpie” me një “byzylyk”, gjoja për arsye shëndetësore. Vetëm pak ditë më vonë i hoqën edhe byzylykun nga këmba pasi mendohej se Rexhepi nuk do të arratisej dhe do të përmbushte kushtin që i ishte vënë, që të paraqitej në komisariatin përkatës çdo 15 ditë. Menjëherë pasi kandidati presidencial ekuadorian Fernando Villasencio kritikoi ashpër vendimin e autoriteteve për lirimin e Rexhepit, ai u vra nga persona të panjohur.
Edhe kur ishte në burg shihej si lideri i padiskutueshëm i mafies shqiptare të kokainës. Prokurorët italianë e akuzojnë Rexhepin se ka urdhëruar të paktën dy vrasje gjatë kohës që ishte në burg. Një në Ekuador dhe një Shqipëri.
Autoritetet shqiptare e akuzojnë Rexhepin se ka urdhëruar dhe drejtuar nga qelia e tij e burgut rrëmbimin e 49-vjeçarit Jan Prenga në vitin 2020 në Kamëz. Vëllai i këtij të fundit akuzohej se kishte vjedhur një sasi kokaine në portin e Roterdamit dhe Prenga do të mbahej peng, derisa droga të kthehej, por trupi i 49-vjeçarit nuk është gjetur as sot e kësaj dite.
Shërbimet po e hetojnë, edhe në bazë të bisedave të zbardhura nga Sky ECC, për tregtinë e kokainës që Rexhepi drejtonte nga qelia e tij në Ekuador. Drejtësia italiane supozon se ai është njeriu pas një sërë ngarkesash të mëdha kokaine nga Ekuadori. Sipas dosjeve të policisë italiane, rrjeti përdorte ekspertë kinezë për të pastruar fitimet e drogës të paguara në Holandë. Italianët thonë se ata kanë bërë një xhiro prej 210 milionë eurosh.
Ishin pikërisht hetimet e italianëve që e zbuluan në Stamboll në 2023-in. Ai kishte hyrë nga Kolumbia ku dyshohet se fshihej pas arratisjes nga Ekuadori për të takuar fëmijët e tij. Mediat turke raportuan se pasi ka parë se ishte rrethuar nga forcat speciale, shqiptari ka tentuar të arratiset me një automjet pa targa.
Edhe pse i armatosur nuk bëri rezistencë dhe iu vunë prangat. Këtë të mërkurë u soll sërish në pranga dhe provoi edhe një herë qelinë e një burgu shqiptar.