Avokati Edmond Petraj ka komentuar situatën juridike të ish-kryeministrit Sali Berisha. Duke u ndalur te dosja “Partizani”, ai shprehet se ka shumë interes se çfarë do të ndodhë më 20 janar, ditë dhe që do të vendoset nëse do të kalojë apo jo për gjykim dosja. Sipas tij, nëse GJKKO e kthen, do të ishte goditje për SPAK.
“Pritet vendimi i gjyqtarit për seancën paraprake. Ngelet enigmë si vendimmarrje, por janë të trija pistat në lojë. Meqë janë kërkuar elementët e pavlefshmërisë së provave, akteve, që i ka kërkuar avokati i Berishës dhe pjesën e Malltezit, dy të tjerët kanë ikur me gjykim të shkurtuar. Është pranuar gjykimi i zakonshëm për Malltezin dhe Berishës dhe ka kaluar për seancë paraprake. Nëse aprovohet atëherë do shkojë me personazhe që do pyeten, mund të shkojë gjatë me dëshmi personazhesh. Por mund të kemi edhe rënien e dosjes ndaj Berishës, të mos pranohet, por do jetë një rënie e madhe e kredibilitetit, dhe SPAK të sfumohet në seancë paraprake në punën e saj. Por kemi edhe një tjetër që të rikthehet për plotësim të akteve të dosjes. Të tria mundësitë mbeten”, shpjegon avokati në “Report TV”.
Ai shton se seanca nuk parashikon shtyrje tjetër, sepse si SPAK, ashtu edhe pala mbrojtëse, i kanë dhënë pretendimet e tyre, tani mbetet vendimmarrja e gjyqtarit të seancës paraprake.
Por Petraj thekson se kjo nuk është e vetmja dosje ndaj kreut të PD-së dhe se sipas tij, FBI ka dosje tjetër për 21 Janarin, sepse nuk e ka sjellë të plotë të parën, nga frika e prishjes së provave.
“Kjo seancë vendos fatin e dosjes së Berishës. Por Berisha ka edhe çështje të tjera, se kjo nuk është e vetmja. Berisha implikohet edhe te 21 Janari dhe nëse dosja merr drejtim si krim shtetëror, nëse ai faktohet nga veprimet dhe mosveprimet e asaj dite, atëherë do të kemi një tjetër proces për të. Kemi edhe veprimet e ish-drejtorit të Policisë së Shtetit në atë kohë, veprimet e Berishës që jepte të kuptohej sikur ishte ai dhe vendoste ai, për urdhër-arrestet. Janë duke u shqyrtuar elementet e dosjes së parë dhe aktet e ekspertizës së FBI-së në atë kohë. Mendoj se do të kemi një element surprizë. FBI nuk e ka sjellë dosjen e plotë, se kishte frikë mos konsumoheshin elementet dhe provat ndaj çështjes”, nënvizon ai