Firma koncesionare e rrugës së Arbrit, rrugë e cila është zvarritur për t’u hapur për vite me radhë për hapjen e tunelit të Murrizit, vijon të marrë edhe “kacidhet” për atë aks. Bashkia e Klosit ka shpallur fituese firmën “Gjoka” për rrugën e fshatit Guri i Bardhë, e cila e lidh me superstradën.
Megjithëse oferta e kësaj firme s’ka qenë më e ulta, sërish kryetarja e Bashkisë së Klosit, Valbona Kola, e ka shpallur fituese, duke ngritur hije të mëdha dyshimi se e gjithë procedura ka qenë e paracaktuar.
Kontrata koncesionare ka ndryshuar disa herë, teksa në “ndihmë” të firmës “Gjoka” ka ardhur edhe qeveria, e cila ka akorduar shuma të tjera për atë aks për skarpata, vijëzime apo edhe për disa vepra arti.
Pra, nga njëra anë e gjithë rruga e Arbrit ka kushtuar më shumë se 300 milionë euro, dhe nga ana tjetër, bashkitë e qarkut Dibër vijojnë t’i japin tendera veçmas, duke rritur kostot. Në fund të vitit 2022, Bashkia e Bulqizës i dha një tender me vlerë 2 milionë euro kësaj firme, për disa kanalizime në Bulqizën e Re.
Sipas dokumenteve, kryetarja e Bashkisë së Klosit, Valbona Kola, ka shpallur ditët e fundit fituesin e tenderit për ndërtimin e rrugës së fshatit Guri i Bardhë. Dhe, ashtu siç edhe mund të ketë parashikuar Kola apo firmat që operojnë në Veri Lindje, fitues doli kompania “Gjoka”, ajo e cila po ndërton me koncesion Rrugën e Arbrit.
Objekti i tenderit ishte “sistemim, asfaltim rruga Shkallë – Guri i Bardhë, Njesia Administrative Xibër”, me fond limit 85.280.318 lekë pa TVSH, vënë në dispozicion nga buxheti i shtetit. Siç edhe shkruhet në këto dokumente, paratë kanë ardhur nga qeveria, e cila prej shumë vitesh po favorizon dhe toleron këtë firmë me afatet e përurimit të Rrugës së Arbrit. Mësohet se afati është me kohëzgjatje 5 muaj nga dita e nënshkrimit të kontratës.
Kriter i përzgjedhjes së fituesit ishte “oferta ekonomikisht më e favorshme bazuar në çmim”, por duket se në këtë procedurë nuk u zbatua. Në dokumente shkrihet se firma “Gjoka” ofroi 79 milionë lekë, firma “BAJRAMI N” 66 milionë, “EVEREST” ofroi 85 milionë dhe “HOREAL EXPO GROUP” kishte si vlerë shumën 85 milionë lekë. Në dokumente shkruhet se oferta më e ulët, ajo e kompanisë “BAJRAMI N” u s’kualifikua, teksa nuk u paraqitën për të dorëzuar dokumentet.
Një farsë, paracaktim apo “fat” për firmën “Gjoka”?
Kompania që ofroi më pak nuk u paraqit, të tjerat ofruan sa 99 % të fondit limit dhe fitues doli koncesionari, që do të asfaltojë këtë rrugë.
Në dokumentet shoqëruese, Bashkia e Klosit shkruan se rruga shtrihet gjeografikisht në brendësi të këtyre fshatrave, me një numër familjesh për dy fshatrat rreth 290 familje dhe popullsi rreth 1200 banorë, sipas censusit të vitit 2011.
“Këtu përfshihet rruga kryesore e këtyre dy fshatrave me gjatësi rreth 4.4 km. Objekti aktualisht paraqitet në një gjendje shumë të amortizuar, sidomos gjatë periudhës që bien reshje të dëndura kalimi vështirësohet së tepërmi. Kjo rrugë nuk është asfaltuar asnjëherë” thuhet në këto dokumente. Nisur edhe nga dokumentet, rruga do të jetë vetëm me një korsi.