Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë ka lënë në fuqi masën e arrestit me burg për ‘baronin’ e drogës Dritan Rexhepi.
Mësohet se Rexhepi ka deklaruar se do të marrë pjesë në çdo seancë gjyqësore dhe përmes avokates Joana Qeleshi ka kërkuar lirimin nga qelia, duke pretenduar se mbahet në arrest pa asnjë provë. Ndërkohë, vijimi i procesit në themel është shtyrë për datën 24 janar.
Rexhepi është i akuzuar për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës, ndërsa për të njëjtin rast po gjykohen edhe disa të tjerë, përfshirë Aldo Majnishtën, Artan Doçajn, Gentian Funiqin, Geraldo Martinin, Korado Kështenjën, dhe Martin Bletën. Më herët, për vrasjen e Jan Prengës, është dënuar përjetë Festim Bixhdili, kopshtari i kompleksit “Golden”, ndërsa çështja e tij është kthyer për rigjykim në Apelin e Posaçëm nga Gjykata e Lartë.
Po ashtu, Altin Hajri po gjykohet i veçuar për të njëjtën ngjarje.
Rexhepi është një personat më të kërkuar nga drejtësia shqiptare për shkak të aktivitetit të zgjeruar kriminal. Ai ka një histori të gjatë me drejtësinë shqiptare. Në vitin 1998, ai u dënua me 25 vite burg për vrasjen e dy policëve në Fushë-Krujë. Ai është gjithashtu i njohur për arratisjet spektakolare nga burgjet, përfshirë arratisjen nga burgu i Pavias në Itali në vitin 2008 dhe një tjetër nga Belgjika. Në vitin 2013, ai përdori pasaportë të falsifikuar për t’u larguar nga Shqipëria dhe nuk është kthyer më që nga ajo kohë.