Një ndërmarrje në varësi të kryetares së Bashkisë Durrës, Emiriana Sako, i ka dhënë me urgjencë filialit të Shefqet Kastratit kontratën 1.7 miliardë lekë për furnizimin me karburant. Megjithëse furnizimi me naftë i bashkisë dhe i institucioneve në varësi të saj bëhet çdo vit nga Kastrati, zhvillohet formalisht një tender.
Bëhet fjalë për prokurimin me objekt “Blerje karburant nafte për Bashkinë Durrës dhe subjektet nën varësi të saj” i ndarë në dy lote. Sipas dokumenteve të tenderit, financimi do bëhet me paratë e buxhetit të tre viteve të ardhshme deri në vitin 2027. Ndërsa subjektet që furnizohen janë Bashkia Durrës, M.Z.SH., Klubi i Futbollit Teuta, Klubi i Shume Sporteve Teuta, Ndërmarrja Rruga Durrës. Qendra Kulturore Aleksandër Moisiu Durrës. Qendra Ditore e të Moshuarve Durrës, Ndërmarrja e Shërbimeve Komunale Durrës. Ndërmarrja Komunale Plazh, Qendra Ekonomike e Arsimit Durrës dhe Agjencia e Parqeve Urbane.
Për blerjen e karburantit dizel është caktuar fondi limit 164,622,183 lekë dhe tenderi është zhvilluar si lot më vete.
Urgjenca e Kastratit për të marrë kontratën
Tenderi është hapur më 24 shkurt 2025 ndërsa data e fundit për dorëzimin e ofertave u vendos 13 mars 2025. Megjithëse është e sigurtë që konkurrentët nuk aplikojnë se e dinë qysh më parë që tenderin e merr Kastrati, komisioni i tenderit ka vendosur edhe një pengesë tjetër si “valvul sigurie”. Është kërkuar që dokumentet e tenderit të dorëzohen me shpejtësi.
Drejtori i Ndërmarrjes së Shërbimeve Komunale, Leonard Haka, ka sajuar një “urgjencë”. Ai ka aplikuar shkurtimin e afatit për pranimin e ofertave. “Kërkohet aplikimi i nenit 42 pika 6 të LLP, për arsyet si me poshtë: Dukë marrë shkas nga situata shumë e vështirë në të cilën ndodhet aktualisht Bashkia Durrës dhe institucionet në varësi të saj, si dhe shpenzimit të karburantit të paparashikuara për vitin e kaluar të disa ndërmarrjeve (një prej tyre Ndërmarrja Rruga e cila ka pasur shumë shpenzime karburanti si pasojë e pastrimit të kanaleve nga situata e krijuar nga kushtet metorologjike të motit të cilat kanë sjelle reshje të shumta te shiut, si dhe në mbështetje të investimeve të Bashkisë Durrës), kërkojmë shkurtimin e afatit të dorëzimit të ofertave në 15 ditë”, shkruan drejtori në dokumentet e dorëzuara në Agjencinë e Prokurimit Publik.
Sipas shpjegimeve të tij, “Institucione në varësi të Bashkisë Durrës siç janë, Ndërmarrja e Shërbimeve Komunale Durrës, Ndërmarrja Komunale Plazh të cilat kryejnë pastrimin e mbetjeve urbane, si dhe pastrimin e disa akseve rrugore të cilat janë bllokuar si pasojë e reshjeve të shumta, kanë nevojë urgjente për karburant, Qendra Ekonomike e Arsimit, e cila përdor karburantin për ngrohje në shkolla publike e ka urgjente nevojën për karburant, MZSH (Zjarrfikëset) dhe Ndërmarrja Rruga Ura gjithashtu kanë nevoje urgjente për naftë. Institucionet e lartpërmendura kryejnë një shërbim jetik dhe të domosdoshëm, prandaj kërkojmë shkurtimin e afatit në 15 ditë”, këmbëngul Haka.
Në fakt, këtu nuk ka asnjë urgjencë, por vetëm justifikim për vonesat e krijuara nga vetë bashkia në furnizimin me karburant. Ligji ka parasysh pengesat objektive, jo ato për të cilat mbajnë përgjegjësi zyrtarët. Konkretisht, kontrata e Kastratit e vitit të kaluar është firmosur me 6 prill 2024 dhe zgjat 12 muaj. Pra, detyrimi vazhdonte deri para pak ditësh dhe bashkia mund të merrte karburant sepse ishte brenda afatit. Edhe nëse i kishte mbaruar karburanti drejtorit të Emiriana Sakos, Kastrati vazhdon furnizimin sepse kontrata përveç fondit limit ka edhe klauzolën “sipas nevojave të subjekteve”.
Tenderi me “Flamur të kuq”
Kështu, pasi “Inteligjenca Artificiale” e Agjencisë së Prokurimit Publik i dha të drejtë drejtorit të Sakos të zhvillojë tenderin me urgjencë ky i bëri letrat shpejt e shpejt më 13 mars 2025, ndërsa fituesi është shpallur zyrtarisht më 1 prill 2025. Këtë e ka bërë për të dy lotet, për naftë dhe benzinë.
Për shkeljet e kryera, Open Data Albania e ka vlerësuar tenderin me “Flamur të kuq” që është shenja e riskut të korrupsionit.
Një shënim me RedFlag është një fakt, ngjarje, ose grup i rrethanave ose informacione të tjera që mund të tregojnë një shqetësim apo ekspozim dhe mbi rrezik potencial të pajtueshmërisë ligjore për sjellje të paligjshme ose joetike të biznesit, veçanërisht në lidhje me praktika korruptive dhe mosrespektimit të ligjeve anti-korrupsion.
Dokumenti i mësipërm është për lotin e furnizimit me Diezel. Sasia e pritshme e mallit që kërkohet për 12 muaj në Lotin nr. 1 Naftë, Euro Diesel D1 (Gazoil 10 ppm) është 1,135,325.40 litra, deri më 31.03.2026, me fond limit të marrëveshjes kuadër: 167,272,683.3 lekë pa TVSH. Çmimi i një litri diezel është 178 lekë lekë, ashtu siç është sot në çdo pike karburanti të Kastratit. Po të kemi parasysh se kjo është shitje me pakicë, atëherë tenderi del se është pa logjikë ekonomike. E si do të ndodhte ndryshe kur tenderi zhvillohet pa konkurrencë, vetëm një pjesëmarrës, që ofron sa 100% e fondit limit?!
Ndërsa “Loti nr. 2 Benzinë pa plumb (95 oktan) është afërsisht 18,932.14 litra, që gjithashtu funksionon me kartë elektronike. Edhe në kontratë përshkruhet se furnizimi bëhet sipas nevojave dhe kërkesës së Autoritetit Kontraktor për 12 muaj nga data e lidhjes së marrëveshjes kuadër. Vlera e marzhit të fitimit që Kastrati i ka vendosur vetes është 17.8 lekë pa tvsh.
Për këtë lot fondi limit i caktuar është 2,650,500 lekë pa TVSH. Edhe ky tender është fituar nga “KASTRATI Energy” shpk dhe ka merituar “Flamur të kuq”.
Pavarësisht se ky tender është firmosur nga drejtori Leonard Hako, dokumentet janë prova edhe për dosjen e kryetares së Bashkisë në SPAK, por sidomos për transaksionet e oligarkut Kastrati. Kujtojmë se në 17 maj 2024, kryetarja e Bashkisë Durrës, Emirjana Sako u paraqit në SPAK. Deri tani kryetarja është pyetur për inceneratorin e Tiranës dhe marrëveshjen e nënshkruar me bashkinë e Durrësit për trajtimin e mbetjeve atje.