Në këtë tender morën pjesë disa firma, ku fitues u shpall bashkimi i operatorëve ekonomikë “SALILLARI” dhe me subjekt mbështetës firmën “ASL”, në pronësi të z. Fatmir Isufaj. Këto firma ofruan rreth 12 milionë euro për ndërtimin e kësaj vepre.
Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka finalizuar tenderin për ndërtimin e një parkimi dhe hoteli brenda Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Sipas dokumenteve që disponon VoxNews, FSHZH-ja ka shpallur fitues një bashkim operatorësh, “Salillari” dhe “ASL”, të cilat kanë ofruar rreth 12 milionë euro në këtë tender, nga 17 që kishte si fond limit. Projekti përbëhet nga dy ndërtese me 5 kate mbi tokë dhe 1 nëntokë, të cilat do të ndërtohen në godinat egzisuese në krahun e majtë të hyrjes kryesore të QSUT-së.
Njoftimi i fituesit është shpallur nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit në datën 25 nëntor 2024, teksa e kthen QSUT-në edhe si një pronë fitimprurëse. Aktualisht, i gjithë territori i spitalit përdoret si parkim me pagesë dhe administrohet nga një shoqëri shtetërore, në “pronësi” të Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Krahas këtij territori, do të mblidhen para’ edhe nga hoteli dhe parkimi mbitokësor.
Objekti i tenderit ishte “ndërtimi i godinës së parkimit multifunksional me shumë nivele në Qendrën Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’ me një fond limit 17 milionë euro”. Kohëzgjatja e punimeve është parashikuar të jetë 24 muaj. Në këtë tender morën pjesë disa firma, ku fitues u shpall bashkimi i operatorëve ekonomikë “SALILLARI” dhe me subjekt mbështetës firmën “ASL”, në pronësi të z. Fatmir Isufaj. Këto firma ofruan rreth 12 milionë euro për ndërtimin e kësaj vepre.
FSHZH shkruan se projekti përbëhet nga dy ndërtesa me pesë kate mbi tokë dhe një kat nëntokë. “Ndërtesa e parë do të shërbejë si parkim për automjetet me një volum 5 kate mbi tokë dhe 1 kat nëntokë. Kjo ndërtesë do të lidhet me ndërtesën e re të mjekësisë së përgjithshme dhe ndërtesën kryesore të urgjencës. Ndërtesa e parkimit pozicionohet në hyrjen kryesore të QSUT-së, në perëndim të ndërtesës ekzistuese të urgjencës. Ndërtesa e dytë do të jetë hotel dhe pozicionohet në veri të ndërtesës së parkimit e ndarë me një fugë 15 cm. Kjo ndërtesë ka 5 kate mbi tokë për shërbimet e pritjes dhe të logjistikës dhe 1 kat nëntokë që do të shërbejë për ambiente teknike në funksion të hotelit” thuhet në këto dokumente.