Vjehrra e Ilir Metës, Fatime Kryemadhi ka përdorur dhe shfrytëzuar edhe vdekjen e bashkëshortit të saj, për të mbuluar pastrimin e parave të pista dhe justifikuar blerjen e një apartamenti në ish Bllok. Zonja Fatime, e cila shërbente si arkë api bankomat i çiftit Meta-Kryemadhi, ka deklaruar se njerëzit i kishin hedhur 100 milionë lekë në ngushëllimin për humbjen e bashkëshortit.
“Nga të ardhurat e qirasë dhe nga të ardhurat nga puna e saj, Fatimja kishte blerë edhe një apartament 1+1 në vendin e quajtur Dolce Vita në Durrës. Këtë apartament më vonë e
kishte shitur, por nuk mbante mend as çmimin e blerjes dhe as atë të shitjes. Në lidhje me apartamentet që ajo kishte blerë nga kompania Bjorn shpk, Fatimja deklaron se i kishte blerë këto apartamente me paratë që njerëzit i kishin hedhur për ngushëllim kur i vdiq bashkëshorti. Fatime Kryemadhi deklaron nuk mbante mend se sa lekë i kishte blerë apartamentet por mbante mend se likujdimin e kishte bërë nëpërmjet bankës. Fatime Kryemadhi deklaron se nga paratë që njerzit i kishin dhënë për ngushëllim ishin mbledhur rreth 100 milionë lekë të vjetra, dhe apartamentet që bleu me këto të ardhura i shkëmbeu më vonë me apartamentin ku banonte Lefteri Haxhiu, te pallati i Fratarit në ish Bllok, ku jetonte me Monikën. E pyetur se çfarë toke i kishte shitur shtetasit Gentjan Sula, për vlerën 246.000 USD, fakt ky i deklaruar në bankën ku kishte depozituar paratë, Fatime…“, thuhet në dosjen e SPAK-ut.
Sipas dosjes, Meta dhe Monika kanë përdorur Fatime Kryemadhin për të fshehur pasuri dhe pastruar para.
Konkretisht, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi, gjatë viteve 2009-2010, kanë blerë një apartment dublex në ish Bllok me vlerë 645 mijë euro, kamufluar me një kredi 335 mijë euro.
Fillimisht, Fatime Kryemadhi ka derdhur cash në bankë 310 mijë euro dhe më pas ka shlyer kredinë 335 mijë euro po me para cash. Shuma 645 mijë euro besohet se janë para korrupsioni të Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit.
“Për peridhën 2009-2010, nga ana e personave nën hetim, I. M., M. K. dhe F. K., është blerë, një apartament dublex me vendndodhje në zonën e njohur si “ish bllok”, i deklaruar si i finacuar me kredi bankare. Nga hetimi ka rezultuar se shuma prej 310,000 Euro që kanë shërbyer për blerjen e katit të parë të dublex, janë derdhur Cash në sistemin bankar nga F. K., dhe shuma 335,000 Euro e marrë kredi nga F. K., është shlyer gjithashtu me para të depozituara në bankë të nivelit të dytë në Republikën e Shqipërisë, në Mars-Nëntor 2010. Këto para dyshohet se kanë origjinën nga aktiviteti i paligjshëm i shtetasve I.M. dhe M.K. si dhe kredia bankare është përdorur si mbulesë dhe mënyrë për të futur në sistemin bankar shuma të konsiderueshme monetare“, thuhet në njoftimin e SPAK-ut.
Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi kanë përdorur Fatime Kryamdhin edhe për të mbulluar shpenzimet për shërbime estetike, duke paguar në një rast 100 mijë euro nga llogaria e saj.
“Nga hetimi ka rezultuar se shtetasit I.M. dhe M.K. nuk kanë deklaruar shpenzimet mjekësore të kryera gjatë periudhës 2013-2019, në vlerën totale prej 106.125 Euro. Nga këto shpenzime, 86.891 Euro janë paguar në cash. Hetimet kanë zbuluar se në deklaratën e Interesave Private Vjetore për vitin 2019, të dorëzuar në ILDKPKI më 29 Maj 2020, këta subjekte nuk kanë deklaruar shpenzimet shëndetësore në vlerën prej 9.000 Euro të kryera në një klinikë private jashtë vendit si dhe dhe shumën 100.000 Euro në llogarinë bankare dy emërore, të cilat i përkasin E.M. dhe F. K. Subjektet I.M. dhe M. K. dyshohet se kanë konsumuar veprën penale “Refuzimit për deklarim, mosdeklarimi, fshehja dhe deklarimi i rrëmë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë” parashikuar nga neni 275/a të Kodit Penal”.
Po ku i gjente paratë Fatime Kryemadhi pensioniste dhe që kishte shitur qepë në Qytetin Studenti?
Mbi 800 mijë euro Fatime Kryemadhi i ka marrë cash nga oligarku Gentjan Sula i Kodrës së Diellit, një personazh që ka mbuluar pastrimin e parave të Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit. Çuditërisht, SPAK nuk ka ngritur akuzë ndaj Sulës.