Pas skandalit të mikrokredive ku kompani zhvatëse si Final dhe MCA u nxinë jetën mijëra shqiptarëve duke detyruar të tjerë të vetëflijohen, siç ndodhi me Pal Trashajn, Banka e Shqipërisë ka shtrënguar kushtet për këtë sektor duke hequr madje disa licenca.
Por ka ende personazhe të këtij sektori që vijojnë aktivitetin, madje pa asnjë licencë nga Banka e Shqipërisë duke bërë kështu që të mos jetë më në sektorin e mikro kredisë, por të fajdeve. Madje, personazhe të tillë me lidhje të forta në sektorin e sigurimeve kanë kaluar edhe në ndërtim, duke marrë leje për ndërtimin e një hoteli gjigant në Tiranë.
Kompania “Tech & Smile Provider” shpk ka marrë së fundmi një leje për ndërtimin e një hoteli gjigant në Sauk të Tiranës.
Deri këtu situata duket normale pasi në çmendurinë e kullave dhe fshatrave turistik, ndërtimi i një hoteli duket më se normal për një qytet ku turizmi po zgjerohet, por siç thuhet, djalli fshihet në detaje. Pasi rrëmon pak te kompania “Tech & Smile Provider” gjen tërësisht kokat e Lira Credit, një biznes që thotë në QKB se ushtron “aktivitetin si institucion financiar i mikro kredisë si dhe shërbime këshilluese për veprimtarinë e kredidhënies”.
Në fakt, Lira Credit nuk ka licencë për ushtrimin e këtij aktiviteti dhe gjithçka është bërë në mënyrë krejtësisht të paligjshme, kjo pasi regjistrimi në QKB nuk mjafton për këtë aktivitet, duhet edhe licencë nga Banka e Shqipërisë. Por le të vijojmë me lidhjet e Zaim Bardhit, Lira Credit dhe kompaninë EUROSIG të Kadri Morina.
Kush fshihet pas Lira Credit dhe si lidhen fajdet me Eurosig?
Zaim Bardhi, aksioner dhe administrator i Lira Credit bashkë më djalin e tij dhe Orgest Habilajn. Nga ana tjetër, Arlind Bardhi është pronar me 70% të aksioneve te kompania “Tech & Smile Provider” ku pjesën tjetër e ka ndarë me Orgest Habilajn dhe Edmond Zefin. Kujtojmë se të njëjtët persona janë aksionerë pikërisht te Lira Credit që operon në treg pa licencë duke kaluar në terrenin e fajdeve dhe jo mikrokredive.
Nga ana tjetër, duket se Zaim Bardhi është i vjetër në këto punë pasi rezulton se ai është anëtar i bordit të drejtorëve të kompanisë Eurosig.
Siç duket edhe nga të dhënat e faqes së vetë kompanisë Eurosig, Zaim Bardhi rezulton pjesë e krerëve drejtues të kësaj kompanie. Gjithashtu djali tjetër i Zaim Bardhit, Dardan Bardhi punon tek Banka e Bashkuar e Shqipërise ose UBA Bank, me pronar Kadri Morina.
Duket se Lira Credit operon në ilegalitet të plotë pasi nuk ka asnjë adresë, zyrë, faqe webi apo ndonjë shenjë online përveç kontaktit personal të z.Bardhi në QKB.