Eksperti kriminalistik Ervin Karamuço dha detaje të reja lidhur me Dritan Rexhepin, të ekstraduarin që është bërë i njohur për arratisjet spektakolare dhe lidhjet me trafikun ndërkombëtar të drogës.
“Rexhepi mori një emër të madh për arratisjet spektakolare që ka bërë nga burgu, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet e Bashkimit Europian. Ai vendosi të lidhej me një linjë të trafikut ndërkombëtar të drogës, duke u ekspozuar. Ka pasur pas tij një rrjet të madh trafikantësh, por ai ishte më i kërkuar për shkak të përgjegjësive të mëdha dhe ekspozimit të tij”, u shpreh Karamuço në një lidhje direkte për programin Review në Euronews Albania.
Eksperti vijoi duke theksuar rëndësinë e rajoneve që lidhen me trafikun e kokainës.
“Ne e dimë që kokaina prodhohet kryesisht në Peru, Bolivi dhe Kolumbi – tre shtete që përbëjnë 90% të prodhimit botëror. Ata janë të parët që e blejnë kokainën e pastër dhe e dërgojnë në Ekuador përmes linjave tokësore dhe ajrore”, sqaroi Karamuço.
Sipas tij, Dritan Rexhepi ka treguar aftësi të jashtëzakonshme për të korruptuar organet ligjzbatuese.
“Ky është një alarm, sepse ai mund të ndikojë sistemin dhe të arratiset përsëri”, tha ai.
Karamuço bëri thirrje për hetime më të thella lidhur me lidhjet e Rexhepit, të cilat sipas tij përfshijnë edhe administratën shtetërore dhe politikanë shqiptarë.
“Ky personazh nuk është i panjohur për lidhjet e tij, përkundrazi, ai ka pasur kontakte edhe me administratën shtetërore, Policinë e Shtetit dhe individë të politikës shqiptare. Prokuroria duhet të hetojë këto lidhje, të përcaktojë ku janë dhe në çfarë niveli ndodhen. Duhet të shqyrtojmë nëse këto lidhje ndikojnë ende në ditët e sotme, si dhe gjykatat që kanë treguar butësi dhe kanë mbyllur sytë. Unë pres që ai të zbulojë të vërtetën për rastin e Jan Prengës dhe të tregojë se ku është fshehur trupi i viktimës”, tha Karamuço.