Zv. Presidentja e Partisë së Lirisë Erisa Xhixho shfaqet çdo javë duke denoncuar korrupsionin, pastrimin e parave dhe ankuar për burgosjen e Ilir Metës. Në një kohë kur zonja Xhixho shpreh shqetësimin për pastrimin e parave të korrupsionit, babai i saj Piro Xhixho është me masë sigurie dhe nën akuzë nga SPAK si pjesë e dosjes së korrupsionit dhe pastrimit të parave nga Ilir Meta, kryetar i Partisë së Lirisë. Sipas dosjes së SPAK, Piro Xhixho, si kryetar i AKEP, ishte një nga mashat kryesore të korrupsionit të Ilir Metës, duke favorizuar biznesmenë pranë Metës, në këmbim të ndarjes së përqindjes. Paratë më pas pastroheshin, duke i investuar në pasuri të paluajtshme.
Në një kohë kur Ilir Meta dhe Piro Xhixho, pasuroheshin me korrupsionin te AKEP, Erisa Xhixho ka shtuar pasuritë e palujtshme në mënyrë të dyshimtë.
Erisa Xhixho e ka deklaruar pasurinë për herë të parë në vitin 2014 pasi Ilir Meta e bëri zëvëndësministre të Integrimit. Zonja Xhixho nuk deklaron asnjë pasuri të paluajtshme. Deklaron vetëm pagën e saj dhe të bashkëshortit Enea Nuredini si specialist në Ministrinë e Shëndetësisë.
Sot pasuria e Erisa Xhixhos ka një vlerë qindra mijëra euro. Fillimisht, në vitin 2015, Erisa Xhixho dhe bashkëshorti i saj blejnë një ndërtesë 90 m2 dhe truall në Tiranë, të cilën e japin me qira. Ata e deklarojnë pasurinë në vlerën rreth 84 mijë euro dhe si burim deklarojnë një kredi. Dyshohet se vlera reale e pasurisë është disa herë më shumë se sa vlera e deklaruar, pasi vetëm vlera e qirasë në muaj është mbi 1.5 mijë euro.

Teksa Piro Xhixho dhe Ilir Meta vijonin aferat te AKEP, në vitin 2016 Erisa Xhixho blen dy apartamente 119 m2 në Tiranë dhe 62 m2, me vlerë 54 mijë euro dhe 28 mijë euro. Këtë herë nuk marrin kredi, por thonë se do t’i paguajnë me këste.

Në pah del edhe një shumë 70 mijë euro, me të cilën çifti blen një makinë tip Skoda si dhe mobilojnë dy apartamentet.
Në vitin 2020, çifti bën një tjetër goditje, duke blerë një pasuri me vlerë 310 mijë euro. Si burim deklarojnë një kredi me vlerë 84 mijë për 20 vite. Se si mund të blihet një pasuri me vlerë 310 mijë euro me një kredi 84 mijë euro këtë mund t’a shpjegojë vetëm dosja e SPAK për korrupsionin e Ilir Metës dhe Piro Xhixhos. Bëhet fjalë për farmacinë ngjitur me murin e SHISH pranë QSUT, një pasuri që në fakt kushton mbi 500 mijë euro.

Farmacinë e kontrollon bashkëshorti i Erisa Xhixhos përmes kompanisë Vitavix, ku fillimisht ishte aksioner me mjekun e njohur Artur Xhumari. Enea Nuredini bëhet pronar me 100 % të aksioneve të kompanisë në vitin 2024.

Kujtojmë që gjatë qeverisjes Rama-Meta, bashkëshorti i Erisa Xhixhos u emërua nëndrejtor i Kontrollit të Barnave.
Në vitin 2022, Erisa Xhixho deklaron blerjen e një apartamenti tjetër me sipërfaqe 62 m2. Nuk deklaron vlerën e apartamentit, por një kredi 22 mijë euro si burim për blerjen e pasurisë së paluajtshme.

Ndërkaq, në vitin 2023, çifti deklaron 64 mijë euro të ardhura nga qiraja, një shumë e lartë që krijon dyshime për pastrim parash.