Ergys Agasi , personazhi që lidh krimin me politikën – politikani lëshon “bombën” para zgjedhjeve
Deputeti demokrat Oerd Bylykbashi ka bërë akuza të rënda për lidhjet mes politikës dhe krimit të organizuar në qarkun e Durrësit.
Ai ka cilësuar Ergys Agasin si ndërmjetësin mes kryeministrit Edi Rama dhe krimit të organizuar. Bylykbashi premtoi dorëzimin e provave në prokurori, duke theksuar se Durrësi është nën kontrollin e grupeve kriminale të lidhura me politikën.
Emri i Agasit është përmendur më parë në raportime dhe akuza të ndryshme. Ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj dhe ish-kryeministri Sali Berisha e kanë akuzuar atë si personin që kontrollon emërimet në institucionet e Durrësit dhe bashkëpunon me krimin.
Gazetarja Klodiana Lala ka raportuar se Agasi ka organizuar takime mes politikës, biznesit dhe krimit të organizuar në një resort pranë Tiranës. Sipas saj, ai kontrollon çdo aspekt të administratës në Durrës pas rënies së Vangjush Dakos dhe është një figurë kyçe në Partinë Socialiste.
Në aspektin ekonomik, Agasi është pronar i disa bizeseve dhe bashkëpronar i klubit të futbollit Dinamo City, duke mbajtur 30% të aksioneve. Strukturat e pronësisë së klubit u riorganizuan në vitin 2024, me përfshirjen e Orest Sotës dhe biznesmenit Adrian Bardhi. Akuzat e ngritura ndaj Agasit, veçanërisht për ndikimin në politikë dhe krimin e organizuar, kanë tronditur opinionin publik por deri më tani kanë mbetur vetëm në kuadër deklaratash.