Mazhoranca e Edi Ramës, edhe pse e rrethuar nga SPAK dhe hetimet ndërkombëtare në lidhjet e saj me krimin, nuk po ndalet që ta vijojë ‘modus operandin’ e saj, edhe në zgjedhjet e 11 majit 2025.
Kjo vërehet në disa qarqe të ndryshme, sidomos aty ku klanet kriminale kanë pasur dhe kanë ‘carte- blanche’ të veprimit në terren.
Siç dihet, Durrësi është zona ku më shumë se kudo mbretërojnë klanet më të forta kriminale në vend. Të cilat kanë në dorë pushtet, para, e mbi të gjitha lidhje politike.
Nga ana tjetër, prej kohësh kontrollojnë edhe media, e rrjete sociale që po tentojnë të influencojnë në përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë, duke lobuar në palët në lojë.
Një nga këto media, që ka influencë kryesisht në Durrës, nxori një muaj më parë se nga votat e publikut, më i koutuari për kandidat në krye të listës ishte Ergys Agasi. Kuotat e të cilit nga këto media, u rritën vazhdimisht. Që natyrisht ishin false dhe vendoseshin pa asnjë lloj sondazhi apo pëlqimi, por vetëm nga lidhjet e klaneve kriminale me pushtetin.
Tani, një muaj më pas, mediat që nxirrnin Ergys Agasin si më të pëlqyerin në Durrës, e zhdukën papritur emrin e tij dhe e zëvendësuan me deputetin tjetër, Arkend Balla, nga zona e Spitallës, që zëvendësoi Rrahman Rrajën, kur ky i fundit dha dorëheqjen pas dhunës së familjarëve të tij, dhumë që tronditi vendin.
Zhdukja e Ergysit nga “qarkullimi” për të kandiduar për deputet ndodhi vetëm pasi ai po hetohet nga SPAK për lidhjet me grupet kriminale më të rrezikshme të Durrësit.
Por kjo nuk do të thotë se fuqia e “koordinatorit të bandave” siç e ka konsideruar ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj, ka rënë. Ai vazhdon influencën e tij, me një nga bandat më të fuqishme të Durrësit, (që kohët e fundit, pësoi një operacion spektakolar nga SPAK), që të kontrollojë politikën në qark.
Ergys Agasi, është aktualisht garancia e bandës së Shkozetit, që konsiderohet nga më të fuqishmet, jo vetëm në Durrës, por edhe në të gjithë Shqipërinë.
Kohët e fundit, Ergys Agasi, ka blerë edhe një nga pronat dhe investimet më të rëndësishme në Tiranë, “Equos Resort”, në Mullet të Tiranës, që konsiderohet si një nga sitet turistike më fitimprurëse në vend.
“Djali i përkëdhelur” i ish-kreut të PS-së së Durrësit, Bardhyl Agasi, në fillim të ardhjes së Edi Ramës në krye të Partisë Socialiste, nuk kishte asnjë hapësirë, qoftë në strukturat e partisë, qoftë edhe në klanet e grupet e interesit.
Kështu që ju ngjit LSI-së së Ilir Metës, nëpërmjet Lefter Kokës, i cili e kishte të nevojshme në 2013 që të mbështetej tek klanet anti-Rama në Durrës, për tu zgjedhur deputet. Duke u mbështetur në lidhjet e vjetra brenda elektoratit të majtë të babait të tij, Ergysi i siguroi “Terit” jo ndonjë kushedi çfarë, por ca lidhje influence brenda socialistëve. Kryesisht brenda grupeve të reja në Durrës, që kërkonin të mbizotëronin ndaj klaneve të vjetra.
Grupe që u kthyen në një aset politik të LSI-së së Ilir Metës në zgjedhjet e vitit 2017 në Durrës, ku dhe arriti të marrë dy mandate. Të cilat kërkonte t’i përsëriste edhe në zgjedhjet e vitit 2021, por ishte Edi Rama që hyri në lojë fort, duke afruar Lefter Kokën si kandidat për deputet në listën e sigurt në Durrës, njeriun e bandave të Shijakut, Jurgis Çyrbën, që e vuri të tretin, e i dha aksesin Ergys Agasit që të jetë kandidati i të gjithë të fortëve në zonë.
Si rezultat thuajse të gjitha bandat e Durrësit ishin tashmë jo në kahe të ndryshme politike, duke përdorur politikanët për të marrë pjesën e tortës së parave të ligjshme e të paligjshme, por të gjithë në një krah. Te Edi Rama!
E këtu u hapën duart e ferrit, që arritën kulmin pas tërmetit, ku ishin pikërisht këto banda që kërkonin të ndanin llokmën e rindërtimit, apo parave të qerave për të pastrehët.
Ishte koha që kryetarët e bashkive jepnin dorëheqje pas një jave në punë, pasi u kërcënohej e gjithë familja. Situata doli jashtë kontrollit, aq sa Edi Rama nuk ja dilte dot, ndaj caktoi koordinatorin për të zgjidhur situatën. E siç ndodh me kriminelët, që për të ndalur sherrin u jep pjesë nga torta, rezultoi që i gjithë pushteti kaloi në duart e krimit. Emërimet, tenderët, zonat e influencës, gjithçka; dhe kjo çoi në një pasurim të tmerrshëm, që i nxori mafiozët jashtë kontrollit.
Ku kulmi ishte spektakli me topa bejzbolli i bandës së Rrajës në Nikël, që masakruan live, me shpresën se nuk do t’i gjente asgjë, pasi e panë se janë të domosdoshëm për Edi Ramën.
Ndërhyrja e amerikanëve përmes SPAK, duket se po shërben si një ilaç për këtë çështje, ku pas Jurgis Çyrbes, radha i erdhi koordinatorit. Po a do të thotë Rama që edhe Gysi i ka ‘ngrënë dardha prapa shpinës së tij’?!! Kaq për sot!