Policia e Tiranës mbrëmjen e djeshme ka kryer eksperimentin hetimor të urdhëruar nga Prokuroria, duke bërë disa prova, për vrasjen e 52-vjeçarit Eduart Reci, atentat i ndodhur mbrëmjen e të mërkurës në mes të Tiranës, pranë Fakultetit të Histori Filologjisë.
Eksperimenti është bërë me qëllim për të zbuluar vendin dhe pozicionin që autori ka përdorur në momentin kur ka qëlluar me një plumb në kokë biznesmenin e ndërtimit.
Fillimisht grupi hetimor kishte dyshime se biznesmeni ishte qëlluar nga taraca e një ndërtese aty pranë, por pas kryerjes së eksperimentit hetimor, janë ngritur dyshime se autori ka qenë në një lartësi më të ulët. Më konkretisht, jo në taracë pallari, por brenda pallatit në një prej kateve më të ulët.
Dyshohet se qitësi ka qenë i pozicionuar në një pallat me ngjyrë të kuqe në afërsi të vendit të krimit. Deri më tani mbeten të paqarta shumë elementë të kryerjes së këtij krimi, por edhe pistat si dhe autorët.
Ndërkohë, grupi hetimor nuk ka gjetur as gëzhoja, por ka në dorë vetëm predhën e plumbit që qëlloi Reçin.