Një edukatore kopshti në Treviso të Italisë ka përfunduar në faqet e para të mediave pasi u zbulua se kishte një profil në faqen “OnlyFans”. Elena Maraga, 29 vjeç u zbulua nga prindërit e nxënësve të saj dhe menjëherë më pas ui pezullua nga detyra. Por ajo thotë se nuk ka ndërmend të heqë dorë nga puna e saj.
Përmes avokatëve ajo deklaroi se “mendon të vazhdojë punën e saj si edukatore kopshti”, edhe falë mbështetjes që ka marrë nga shumë prindër, të cilët thotë se po organizojnë një peticion në favor të saj.

Avokatët e 29-vjeçares kanë sqaruar se, megjithëse është e gatshme të gjejë “një marrëveshje të drejtë me punëdhënësin e saj për të shmangur proceset e mëtejshme gjyqësore”, Maraga beson se “veprimtaria që ajo ushtron nuk reflekton në asnjë mënyrë në performancën e saj në punë dhe për rrjedhojë nuk mund të ketë fuqi sanksionimi i një natyre thjesht morale”.

Avokatët gjithashtu theksojnë se Maraga “asnjëherë nuk ka prodhuar foto apo video me përmbajtje pornografike” dhe se lajmi i regjistrimit të saj në platformën e përmbajtjes me pagesë “nuk është publikuar nga ajo, por nga një prind i një prej nxënësve të klasës së saj”.

Mësuesja e re nuk është kthyer ende në mësim pas “tërmetit” mediatik që shpërtheu më 12 mars dhe nuk do të kthehet deri në zgjidhjen e problemit. Ndërkohë që aktiviteti i saj në shkollë është pezulluar përkohësisht, aktiviteti në rrjetet sociale ka shënuar rritje. Në një javë, ndjekësit e profilit publik të Elena Maragës në Instagram kanë shkuar nga 6,500 në 18,800.

Jo vetëm kaq. Mësuesja ka riaktivizuar edhe profilin e saj “privat” në Instagram, i cili u hoq përkohësisht me kërkesë të drejtueses së shkollës. Pikërisht përmes kësaj llogarie, e cila tani ka 3,800 ndjekës, u zbuluan lidhjet që të çojnë në profilin e tij OnlyFans dhe kanalin Telegram ku ajo ndan pamjet.
