Ka vijuar me debate dhe tensione seanca gjyqësore në GJKKO, ku po rrëfehet i penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani, për dosjen “Plumbi i artë”.
Dumani ka pohuar në sallë se Talo Çela kishte dashur që t’i vriste, teksa më tej dha detaje për miqësinë e vjetër mes tyre dhe sherret që çuan deri në hakmarrje të përgjakshme, me disa viktima.
Dumani u shpreh:
“Unë për vrasjen e vëllait të Talos nuk mora asnjë lek, sepse u përfshiva për hakmarrje, pasi u vra Klevis Kapllani, lekët për vrasjen e Bujar Çelës i kanë sjellë të nesërmen në Vorë, me një makinë, pagoi Erjon Alibej”.
I arrestuari Enver Diva gjithashtu dha dëshmi në seancë, ku u shpreh se takoi në një rast dy biznesmenë dhe dy deputetë në lokal, që i dhanë foton e Talo Çelës dhe një çantë me lekë dhe i thanë e duam të vrarë.
“Nuredin Dumani takoi 2 biznesmenë dhe 2 deputetë në një lokal, i dhanë foton e Talo Çelës dhe një çantë me lekë dhe i thanë ‘e duam të vrarë’, pse nuk i tregon ky këto…?!”, tha ai.
Por Nuredin Dumani kundërshtoi në sallë:
“Nuk është e vërtetë kjo”, reagoi i penduari.