Ditën e djeshme u mësua se Durim Bami, personazh i botës së krimit, që ndodhet në Dubai, është arrestuar nga autoritetet dhe ekziston mundësia që ai të dëbohet drejt Shqipërisë, siç ndodhi pak kohë më parë me Plarent Dervishajn.
Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, ka dhënë detaje nga ndalimi i Bamit. Lala tha se Bami është konsideruar si i forti i Niklës, me lidhje shumë të forta edhe në politikë dhe sipas saj mund të jetë personazh interesant për tu zbërthyer.
“Në maj të këtij viti ka patur urdhër arrest, ku u goditën disa grupe kriminale. Ka dyshime se Bami synonte eleminimin e Arben Ndokës, por edhe njerëz të besuar të Ervis Martinaj. Ishte nga ana tjetër Ndoka dhe të tjerë, që kërkonin kokën e Durim Bamit.
Mbi bazën e urdhër arrestit, është ndaluar në Dubai, ka qëndruar pak ditë dhe ëhtë liruar, për shkak se nuk ka marrëveshje ekstradimi. Ka qenë në mbikqyrje elektronike, është monitoruar gjatë të gjithë kohës. Për arsye të paqarta, është rikonfirmuar, që është arrestuar për herë të dytë. Gjasat janë që të përdoret i njëjti skenar si me Plarent Dervishajn që u dëbua.
Mbetet për t’u parë nëse Emiratet do të ndjekin të njëjtën mënyrë, e vetmja rrugë ligjore që mund të përdoret është të kenë konfirmuar që ose është rrezik për vendin e tyre, ose të jetë përshirë në konflikte apo krime atje.
Kjo pjesë mbetet e paqartë. Por autoritetet kanë një sinjalizim që mund të veprohet si në rastin e Plarent Dervishajt duket e dëbuar nga Dubai, ku mund të pritet nga policia shqiptare. Por kjo mbetet për t’u parë. Ai ka të drejtë të kundërshtojë ndalimin për shkak se nuk ka marrëveshje ekstradimi.
Nëse vjen Durim Bami ekuacioni ndryshon, mund të pendohet dhe të rrëfehet. Për shkak të përfshirjes në vepra kriminale, por edhe lidhjet politike, mund të jetë ndër të penduarit më interesantë, pas Adriatik Colit të bandës së Durrësit. Nëse e dëbon Dubai, Durim Bami mund të rrëfehet.
Durim Bami është konsideruar si i forti i Niklës, me lidhje shumë të forta edhe në politikë, mund të jetë personazh interesant për tu zbërthyer.
Por kam informacione se po kërkon avokat”, tha Lala.