Vetëm pak ditë pasi firmosi një protokoll me dhe Prokurorinë e Përgjithshme dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve me qëllim shkëmbimin e shpejtë të informacionit për mbarëvajtjen zgjedhore, SPAK ka vënë në dispozicion një faqe për denoncimin e krimit zgjedhor.
Në faqen (kliko ketu) çdo qytetar mund të denoncojë me informacionet apo indiciet që ka për krim zgjedhor.
Kjo lëvizje synon parandalimin e krimeve zgjedhore ndërsa nëpërmjet këtij protokolli parashikohen masa të përbashkëta për parandalimin, identifikimin dhe ndjekjen e veprave penale që lidhen me zgjedhjet.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK publikoi më 20 shkurt strategjinë e hetimit dhe parandalimit të krimeve zgjedhore në zgjedhjet e 11 majit, vetëm pak orë pasi kryeministri Edi Rama e sulmoi ngritjen e Task-Forcës si një “lajthitje” që cenonte sipas tij të drejtat e partive politike.
Në strategjinë e publikuar, SPAK sjell në vëmendje se legjitimiteti i zgjedhjeve është faktor themelor në ruajtjen e shtetit të së drejtës dhe integritetit të procesit të anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Në strategji evidentohet shqetësimi i vazhdueshëm i organizatave vendase dhe ndërkombëtare, përfshirë OSBE/ODIHR, Komisioni Evropian dhe Misioni Amerikan pranë OSBE-së, lidhur me veprat penale në kuadër të zgjedhjeve në Shqipëri.
Konstatohet se konkluzionet e raporteve ndërkombëtare mbi zgjedhjet e zhvilluara në periudhën 2021-2023 evidentojnë si probleme kryesore blerjen e votave, keqpërdorimin e burimeve publike dhe presion ndaj votuesve, veçanërisht ndaj punonjësve të administratës shtetërore; cënimin e sekretit të votës dhe paanshmërinë e medias.
Një tjetër problem që pritet të jetë në vëmendjen e SPAK është edhe përfshirja e krimit të organizuar në procesin zgjedhor. Hetimet e kryera së fundmi ndaj ish-deputetit socialist, Jurgis Çyrbja ekspozuan lidhjet e thella mes krimit të organizuar dhe politikës, si dhe ndikimin e tyre në procesin zgjedhor duke deformuar sipas ekspertëve votën e lirë dhe sistemin demokratik të vendit.
Sipas SPAK, strategjia udhëhiqet nga qasja proaktive e hetimit dhe provueshmëria në kohë reale e veprave penale në kuadër të zgjedhjeve, duke synuar efekte konkrete për mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe pacenueshmërinë e të drejtës së qytetarëve për të votuar në zgjedhjet parlamentare 2025.
“Nga ana tjetër, kjo strategji synon të parandalojë ndikimin e krimit të organizuar në integritetin e procesit zgjedhor, përmes masave konkrete dhe përdorimit sa më efektiv të teknikave të posaçme hetimore”, thekson SPAK.