Drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli, ka firmosur një tender të majmë për Asllan Hastoçin, vetëm një ditë pasi u mor në pyetje në SPAK për korrupsionin me fondet e prokuruara. Për lyerje fasadash nëpër fshatra, Hastoçit do t’i xhirohen 4.22 miliardë lekë në një tender të hartuar dhe të qepur me porosi.
Megjithëse formalisht tenderi u zhvillua në nëntor 2024, Agolli e ka mbajtur dosjen në sirtar dhe e ka dërguar në Agjencinë e Prokurimit Publik (APP) tre muaj më pas.
Të njëjta kompani në tryezën e tenderave të Agollit
Më konkretisht, më 11 shkurt 2025 Agolli ka firmosur kontratë me “Hastoçi” shpk me vlerë 422,292,719 lekë përfshirë TVSH.
Kjo ishte finalja e tenderit “Rigjenerimi Urban në zona periferike dhe informale dhe në fshatra me popullsi të dendur, etj. Rajonet 3&4”
Fondi limit që ishte caktuar nga komisioni i tenderit ishte 416,666,666.67 lekë pa TVSH dhe është buxhet i planifikuar për Programin “100 Fshatrat”.
Tenderat që bën Dritan Agolli kanë të njëjtët pjesëmarrës që është një listë me rreth 30 kompani, që alternohen me njëra tjetrën si fituese në prokurime të ndryshme. Ka dyshime që këto kompani kanë marrëveshje të heshtura për ofertat. Ndërkohë, firmat e tjera i nënshtrohen diskriminimit dhe trajtimit të pabarabartë.
Për shembull në tenderin që po raportojmë ka marrë pjesë bashkimi i operatorëve “B93 II” sh.p.k & “B-93” sh.p.k & “TOTILA”sh.p.k.
Ky bashkim operatorësh ekonomik është aty sa për të bërë një ofertë formale sepse ndërkohë i është dhënë nga Agolli gjysma e tortës së këtij projekti në tenderin tjetër me objekt “Rigjenerimi Urban në zona periferike dhe informale dhe në fshatra me popullsi të dendur, etj Rajonet 1&2”. Më 19 dhjetor 2024, Agolli e ka qerasur Ardit Liçajn, që merr pjesë në të njëjtin tender me dy emra kompanish “B-93” dhe “B93 II”. Drejtori u ka dhënë Liçajve tenderin 439,980,858 lekë. Shihni dokumentin më poshtë:
Siç mund ta vëreni, janë dy elemente të njëjta në këto dy dokumente të tenderave: Janë të njëjtat kompani që ulen në tryezën e drejtorit; Bashkimi i kompanive që morëm si shembull, është skualifikuar në tenderin e parë, në të njëjtën kohë ka fituar gjysmën e tortës për të njëjtën punë, në gjysmën tjetër të Shqipërisë.
Ndërkohë, ofertat firmave që nuk janë pjesë e tryezës nuk merren parasysh pavarësisht vlerës ekonomike.
Kështu ka ndodhur edhe në këtë prokurim, ku oferta e kompanisë “HASTOÇI” sh.p.k u shpall fituese pasi iu eliminua konkurrenca nga komisioni i tenderit.
Aritmetika e korrupsionit nxjerr fituese ofertën më të shtrenjtë
Sipas të dhënave që nxorëm nga APP, data e njoftimit të tenderit ka qenë më 11 nëntor 2024, ndërsa data e mbylljes së afatit për dorëzim oferte përcaktohej 27 nëntor 2024. Për këtë fond të madh shpallën menjëherë interesin 13 kompani dhe bashkime operatorësh ekonomikë.
Në fund fitoi HASTOÇI shpk me 303,812,510 lekë pa TVSH, ndërsa vlera e kontratës me TVSH, është fiksuar me shifrën 422,292,719 lekë me një kohëzgjatje 2 vjet.
Ndërkohë në tender ka pasur edhe oferta më të ulëta. Kështu, operatori ekonomik “ERAL CONSTRUCTION COMPANY sh.p.k ofroi ta bënte këtë punë me 270,135,862.5 lekë pa tvsh.
Siç e thamë më sipër, bashkimi i firmave “B93 II” sh.p.k NUIS L52209050O & “B-93” sh.p.k & “TOTILA”sh.p.k ka bërë ofertën me vlerë 273,449,069.93 lekë pa tvsh, por është skualifikuar në këtë tender.
Logjika të çon në konkluzionin, se në këto dy tendera nuk ka rëndësi oferta, por cili je dhe çfarë është paracaktuar për firmën tënde.
Pasi mbaruan qytetet, nis lyerja e fasadave nëpër fshatra
Lyerja e fasadave është një projekt tipik nga ato të Rilindjes, që bëhen vetëm për propagandë. Stafi i FSHZH ka përgatitur një listë paraprake të zonave në gjithë territorin e Shqipërisë, në të cilat parashikohet të ndërhyhet. Pra, qeveria u heq paratë bashkive, ia jep Dritan Agollit të bëjë tendera të fryrë për llogari të miqve të tij, duke i vënë emra programeve si “100 fshatrat” apo “Rilindja urbane”. Dhe çfarë pune do bëjë Asllan Hastoçi me 4.22 miliardë lekë?
Sipas preventivit të punimet në disa fshatra të Jugut, paratë do të shkojnë për sinjalistikën rrugore punimet e fasadave ku përshihen riparimi i suvasë, i kullimit, dhe lyerja e tyre.
Po ashtu, punimet për gjelbërimin dhe mobilimin urban si mbjellje bari. Mbjellje pemësh, vendosje kosha mbeturinash dhe stola. Në listë janë edhe punimet e restaurimit ne fshatrat turistike si ndërtim qemeri me gurë të gdhendur, restaurim mur guri me llac gëlqere, restaurim i çarjeve të murit, çati me tjegulla. Përfshihen edhe punimet për kanalizimin e ujërave të bardha, ndërtimin e veprave të artit, si tombino, muret mbajtës, bordurat dhe trotuaret.
Kush është përfituesi i 4.22 miliardë lekëve?
T’i japësh këto lekë biznesmenit Asllan Hastoçi, është si t’i varësh mëlçitë ujkut në qafë. Kompania e tij është kapur vazhdimisht në falsifikime dokumentesh në tendera, mos kryerje të punimeve sipas kontratave, marrje parash për punë të pabëra. Madje, punët kanë shkuar aq larg sa në një rast, me një nga punët kësaj firme është marrë edhe prokuroria.
Rasti më tipik është kur kjo kompani mori paratë e projektit 300 milionë lekë për të rregulluar me kalldrëm rrugët e Voskopojës. Hastoçi mbushi xhepin ndërsa, nga verifikimi në teren që bëri KLSH për zbatimin e projektit dhe kontratës, doli se puna mbeti përgjysmë. E po, korrupsioni ka tarifën e vet.
Pas disa vjetësh, KLSH do ta kapte sërish me shkelje firmën “Hastoçi” shpk. Bëhet fjalë për tenderin “Sistemim, Asfaltimi Rrugëve Rilindja, segmenti 1 dhe 2, Fshati Marqinet 2, Bashkia Vorë” me fondin limit 32 235 022,00 lekë.
Data e mbajtjes së tenderit ishte më 26 prill 2019, ndërsa kontrata u firmos nga kryebashkiaku Fiqiri Ismaili.
Kryetari ia kishte dhënë tenderin Hastoçit pa plotësuar kriteret. “Operatori ekonomik ka paraqitur dokumentacion për disa drejtues mjetesh të rënda, nga të cilët asnjëri nuk figuron dhe nuk disponon dëshmi për buldozerin sipas kërkesës. OE nuk përmbush kriterin për mjetin Autovinç. Mjeti i deklaruar me targa A…..J i marrë me kontratë qiraje nga subjekti A. H., nuk disponon certifikatën e transportit…” citojmë raportin e auditimit të KLSH.
Probleme me dokumentet i janë konstatuar kësaj firme edhe në tenderin e Ministrisë së Bujqësisë “Loti 1- “Rehabilitim hidrovoresh” më 27 korrik 2020. Fondi Limit i këtij tenderi ishte 183.997,684,4 Lekë pa TVSH.
Për këtë procedurë janë paraqitur 6 ankesa në lidhje me modifikimin e dokumenteve të procedurës së prokurimit, por ministri Bledi Çuç i ka përcjellë duke vazhduar me shpalljen fitues të Hastoçit. Madje ky i fundit kishte paraqitur vërtetim nga Drejtoria e Tatimeve Tiranë për periudhën 2015- 2016-2017 jo në përputhshmëri me kriterin e sipërcituar si dhe vërtetimi i paraqitur është shumë i hershëm pra është i datës 08.02.2018 (2 vjet përpara zhvillimit të procedurës), ndërkohë dorëzimi i dokumentacionit është në qershor 2020.
Klient i Erion Veliajt dhe Redi Mollës
Asllan Hastoçi është një nga klientët e tenderave korruptivë që kryente Erion Veliaj dhe Redi Molla në Tiranë. Në dokumentin më poshtë është tenderi me “Flamur të kuq” (shenja e riskut të korrupsionit) që Hastoçi mori në 2018 nga Redi Molla në UKT.
Ky ishte tenderi me objekt “Instalimi i sistemit ujëmatës Elektromagnetik në Depot e Tiranës (Faza I)” me Fondin Limit 47,227,442 lekë. Kontrata u firmos nga Redi Molla (aktualisht i arrestuar për korrupsion) në qershor 2018.
Dhe, për të nxjerrë në dukje fiktivitetin e tenderit të Dritan Agollit, sjellim një fakt që dëshmon se kjo kompani, për shkak të angazhimit në kontrata të tjera publike në të njëjtën kohë, nuk plotëson kriterin e kapacitetit teknik.
Konkretisht, kompania “Hastoçi” shpk më 12 dhjetor 2024 ka firmosur kontratën me bashkinë Kurbin për tenderin me objekt “Sistemim i përroit të qytetit Laç, Bashkia Kurbin”, me fond limit 83,332,542 lekë.