Detaje të tjera kanë dalë nga dosja Veliaj-Xoxa. SPAK ka argumentuar në dosjen hetimore se Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa kanë përfituar tre vila nga biznesmeni Gentian Sula pasi ky i fundit është mbështetur nëpërmjet tenderëve publikë nga Bashkia e Tiranës.
Madje, në dosje thuhet se Veliaj ka prishur njerën prej vilave me vlerë rreth 500 mijë euro, vetëm me qëllimin që të zgjerojë shesh pushimin dhe zonën e gjelbëruar të dy vilave të tjera.
Ndërkohë, raportohet se punimet janë bërë nga UKT Kavajë dhe çifti nuk ka harxhuar asnjë cent për to.
Veliaj dhe Xoxa kanë mohuar pronësinë e vilave duke theksuar se njëra prej tyre është e prindërve të Ajolës.
Veliaj ndërkohë theksoi se prania e tij në Kavajë lidhet me fushatën zgjedhore dhe jo se gjendej në vilat e tij.
Nga ana tjetër, shoferi i Ajola Xoxës dhe bashkëpunëtori te “Harabeli” Driant Zeneli kanë dëshmuar në SPAK dukethënë se ajo vilë i ishte prezantuar si e Xoxës prej vetë kësaj të fundit.