Kompania e sigurisë së familjes së Erzen Breçani, ish-nëndrejtor i Policisë së Tiranës, i cili aktualisht po gjykohet në Gjykatën e Posaçme për disa vepra penale, ka fituar pa garë një tender nga Ujësjellësi i Tiranës. Mund të tingëllojë e çuditshme, pasi nga njëra anë emri i firmës “BREÇANI – R.O.S.P” del në dosjen e SPAK-ut për pastrim parash dhe nga ana tjetër fiton para publike me shumë lehtësi në të njëjtën kohë.
Paradoksi qëndron se ndaj firmës nuk ka asnjë masë shtrënguese dhe përjashtuese, megjithëse ka dyshime se paratë e trafikut të drogës nga djali i Erzen Breçani dhe Ervin Mata po investoheshin në HEC-e, të fituara nga kompania e sigurisë. Në dosje janë një mori dokumentesh apo edhe bisedash, ku emri i firmës përmendet disa herë, teksa kompania ka si pronar z. Fatbardh Breçanin, vëllain e Erzen Breçanit.
Ish-nëndrejtori i Policisë së Tiranës u arrestua në muajin nëntor 2023 dhe qëndroi në qeli deri në qershor 2024. Aktualisht, ai po gjykohet me masën e sigurisë arrest në shtëpi, ku është urdhëruar të mos largohet nga banesa.
Faksimile: Njoftimi i Ujësjellësit së Tiranës për fituesin e tenderit të shoqërimit të vlerave monetare
Ndërkohë, gjatë kësaj kohe kompania e familjes, “BREÇANI – R.O.S.P” ka vijuar aktivitetin tregtar, ku gjithmonë Erzen Breçani ka “përdorur” vëllanë si pronar dhe administrator. Madje, eksperte kontabël e kësaj kompanie është edhe znj. Shpresa Breçani, e cila është mbesa e Sali Berishës.
Referuar dokumenteve, rezulton se në datën 10 janar 2025, firma “BREÇANI – R.O.S.P” sh.p.k është shpallur fituese e një procedure formale nga Ujësjellësi i Tiranës. Bëhet fjalë për një procedurë shërbimi, me llojin e procedurës së prokurimit “me negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës”.
Bëhet fjalë për objektin e kontratës “ruajtja dhe siguria fizike në roje private dhe shoqërimi i vleave monetare për UKT sh.a”, me një kohëzgjatje prej 63 ditësh nga data e nënshkrimit të kontratës.
Firmës “BREÇANI – R.O.S.P” i është dhënë aforfe një shumë prej 13.715.569 lekësh, ose rreth 140 mijë euro. Dokumenti është firmosur nga Administratori i UKT-së, Kostandin Budurushi.
Faksimile: Pronari i firmës është z. Fatbardh Breçani, vëllai i Erzen Breçanit
Sipas ekstraktit të firmës “Breçani R.O.S.P”, ku rezulton se pronar me 100 % të aksioneve është z. Fatbardh Breçani, vëllai i Erzen Breçanit. Firma është hapur në vitin 2005, kur erdhi në pushet Partia Demokratike, teksa në atë kohë Erzeni ishte në radhët e policisë. Ai ka “përdorur” lidhjet e ngushta me qeverinë e asaj kohe, pasi më parë ka qenë edhe badigard i Sali Berishës.
Ndërkohë, vitet kaluan dhe pasi PS-ja erdhi në pushtet, ai u largua në vitin 2013 nga policia për t’iu përkushtuar firmës së sigurisë. Por, në vitin 2023 ai u arrestua me urdhër të SPAK për disa vepra penale, teksa në dosje është edhe emri i firmës.
“Nga biseda e zhvilluar ku përmenden ‘Bardhi’, ‘hidrocentrali’, duke ju referuar edhe veprimeve dhe verifikimeve tona, rezulton se subjekti ‘Breçani R.O.S.P’ sh.p.k, me objekt veprimtarie sigurimi privat i sigurisë fizike dhe ndër tjera edhe shfrytëzimin dhe administrimin e hidrocentralit ‘Drita’, me ortak të vetëm dhe administrator Fatbardh Breçanin, vëllain e Erzen Breçanit, me vendim Nr.14 datë 12.07.2019 të K.K.T është miratuar leja për ndërtimin e objektit të hidrocentralit. Është regjistruar një firmë ‘HEC Drita Energy’, me ortak të vetëm ‘Breçani R.O.S.P’ dhe administrator shtetasin Eralbi Breçani. Vetë Erzen Breçani rezulton i punësuar në kompaninë Breçani R.O.S.P”, thuhet në dosjen e SPAK.
Disa javë më parë, dosja ndaj Breçanit shkoi për gjykim në Gjykatën e Posaçme, ku vetë Erzen Breçani po gjykohet për pastrim parash dhe përkrahja e autorit të krimit.