Dritan Agolli, kreu i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, është një nga “oligarkët” më të mëdhenj në Shqipëri. Ai e ka kthyer institucion që drejton në “shërbim” të vetes, familjarëve apo edhe të ish-punëdhënësve të tij.
Shpeshherë, Zahiri News ka raportuar për projekte tepër të dyshimta të Fondit, ku kohët e fundit ai ka prokuruar dhjetëra miliona euro për të ndërtuar hotele dhe restorante me paratë e shtetit. I tillë ishte tenderi te Llixhat e Bënjës në Përmet apo edhe kompleksi në periferi të Tiranës.
Ndërkohë, “oligarku” Agolli ka vijuar bëmat, kësaj herë me një pronë të stërmadhe në Sarandë, atje ku ndodhet rezidenca qeveritare.
Në një sipërfaqe prej 3 hektarësh pronë shtetërore, “ndërtuesi” Agolli do të ndërtojë restorant dhe hotel luksoz me paratë e shtetit. Një nismë kurajoze, pasi me këtë veprim tjetërson një truall ende të paprekur në qytetin bregdetar, i cili dita-ditës vetëm po betonohet.
Sipas dokumenteve, rezulton se FSHZH ka hapur tenderin me objekt “investime për transformimin e aseteve publike me potencial zhvillimi në modele të standardit më të lartë të zhvillimit”.
Bëhet fjalë për lotin 3, “poli i zhvillimit turistik në Sarandë – faza 1”.
Është një kontratë me “çelësa në dorë”, teksa fondi limit është plot 379.176.241 lekë pa TVSH.
“Financimi i këtij objekti është parashikuar në programet buxhetore për periudhën 2025-2027” thuhet në këtë dokument. FSHZH thotë se kohëzgjatja e kontratës është 18 muaj, teksa tenderi do të bëhet në muajin mars.
Sipas FSHZH-së, rezidenca ka një sipërfaqe rreth 3 ha dhe është e njohur për peizazhin e saj të bukur dhe ambientin e qetë.
“Në këtë zonë ndodhet një vilë e cila kishte përdorim gjatë periudhës komuniste. Vila qeveritare e ndodhur në ‘Kodrën e Gjashtës’ në Sarandë përfaqëson një nga ndërtimet më të rëndësishme të periudhës socialiste në Shqipëri.
E vendosur në një nga pikat më strategjike dhe panoramike të qytetit, kjo vilë përbën një dëshmi të gjallë të arkitekturës dhe estetikës që karakterizonte ndërtimet e asaj periudhe”, thuhet në këto dokumente.
Sipas saj, ndërtesa përdorej kryesisht për pushime dhe takime të niveleve të larta qeveritare, duke reflektuar privilegjet dhe rëndësinë strategjike të qytetit të Sarandës në atë periudhë.
“Gjatë komunizmit, ‘Kodra e Gjashtës’ ishte një zonë me interes të veçantë, jo vetëm për ndërtimet qeveritare, por edhe për rëndësinë strategjike dhe simbolike të saj.
Kjo hapësirë vazhdon të jetë një pikë referimi historike dhe gjeografike, duke i dhënë Sarandës një karakter unik që lidh të shkuarën me të tashmen” thuhet në këto dokumente.
FSHZH shkruan se zona nuk është e sistemuar plotësisht dhe ka nevojë për një sistemim total përsa i përket aksesit në zonë.
“Projekti synon të rigjallërojë asetet e degraduara përmes ndërhyrjeve të qëndrueshme, duke ofruar një platformë për zhvillimin e ekonomisë lokale dhe promovimin e vlerave unike të rajonit.
Agolli i ka idetë e qarta, pasi në atë zonë ai ka synimin që ta kthejë në një zonë private, duke ndërtuar hotel dhe restorant tepër luksoz. Në nivelin dy shkruhet se do të bëhet një objekt qeveritar, restorant dhe hotel.

“Do të ketë funksionalitet të objektit qeveritar. Restorant i integruar në terren. Hotel si rezidencë për artistët dhe vizitorët e zonës.
Një restorant i vendosur në një mjedis të natyralizuar, i cili ofron përvoja kulinare të lidhura me traditën dhe produktet lokale. Ky hapësirë do të jetë një atraksion i veçantë për vizitorët dhe një pikë takimi për artistët, studentët dhe komunitetin.
Në këtë zonë do të ndërtohet një strukturë akomoduese me konceptin e apart-hotelit, e cila do të funksionojë si rezidencë për artistët, nomadët digjitalë, studentët dhe turistët.