Inteligjenca e disa kryetarëve të pushtetit vendor, për të bërë rrush e kumbulla paratë publike, është befasuese. Kryetarja e Bashkisë Roskovec Majlinda Bufi rezulton se ka firmosur disa tendera për një kompani, e cila ka marrëdhënie biznesi dhe ka transaksione me bashkëshortin e saj. Bëhet fjalë për kompaninë e ndërtimit Ardit-06 shpk, e cila ka ndërtuar objekte për llogari të bashkëshortit të zonjës Bufi, ndërsa kjo e fundit i ka dhënë para publike. Një grup kompanish, lidhje të ngushta të bashkëshorit të Majlinda Bufit, marrin tenderat e Bashkisë Roskovec, me pazar në tavolinë dhe oferta sa fondi limit.
Ndërkaq, me veprimet e saj arbitrare, shembje ndërtimesh dhe përvetësim të pasurisë publike për një shesh pranë Bashkisë Roskovec, Majlinda Bufi i ka shkaktuar shtetit qindra mijëra euro dëm ekonomik. Majlinda Bufi është kapur me zë dhe figurë duke kërcënuar dhe intimiduar votuesit, veprime për të cilat ka një dosje në SPAK. Vitin e kaluar, Bufi bleu një makinë me vlerë 55 mijë euro me paratë e bashkisë.
Ditët e fundit, Bufi i Roskovecit ka shpenzuar rreth 130 mijë euro për blerjen dhe instalimin e tre luleve inteligjente të ashtuquajtura “Smartflower” si dhe ndërtimin e një stacioni komercial për karikimin e makinave elektrike.
Fitues i tenderit është shpallur kompania ALBAVIA në pronësi të Hasan Hafizit dhe Shkëlqim Rakipaj. Hasan Hafizi është bashkëshorti i ish deputetes së PS, Mimoza Hafizi.
Vlera e ofertës fituese është 10,651,490 lekë të reja pa TVSH, ose rreth 130 milionë lekë të vjetra me TVSH. Kjo shumë përfaqëson 94.7% të fondit limit, i cili ishte 11,250,000 lekë të reja pa TVSH ose rreth 135 milionë lekë të vjetra me TVSH. Kjo tregon se gara nuk ka qenë aspak konkurruese dhe Bufi ka favorizuar fituesin.
Tenderi është klasifikuar me “flamur të kuq” për shkak të mënyrës sesi është zhvilluar. Të gjithë operatorët konkurrues janë skualifikuar, përveç fituesit. Një nga tre kompanitë pjesëmarrëse nuk ka dhënë asnjë ofertë ekonomike, duke qenë aty vetëm për të plotësuar numrin minimal të nevojshëm. Ndërsa një tjetër kompani ka ofruar një vlerë më të ulët se fituesi, por është skualifikuar në mënyrë të pashpjegueshme. Kjo ka hapur rrugë për shpalljen fitues të kompanisë ALBAVIA, me një ofertë shumë afër fondit limit.