Kryebashkiaku socialist i Malësisë së Madhe, Tonin Marinaj është paraqitur sot në SPAK. Nuk dihet ende për arsyet se pse Marinaj do të pyetet nga hetuesit. Por theksojmë se janë publikuar dokumente të cilat tregojnë se Tonin Marinaj, në vitin 2016 është hetuar dhe akuzuar nga Prokuroria e Firences në Itali si koka e një organizatë ndërkombëtare droge, me bazë në Toskana, Venecia, Udine dhe Shqipëri. Pjesë e organizatës kriminale ishin edhe Gamuzza Stefania, Rini Marku, Frederik Marku, Ferdinand Paja, Bruno Nika, Saimir Hamazi dhe Bep Gjoni.
Gjithashtu, kryetari i Bashkisë Malësi e Madhe, Tonin Marinaj, me një pasuri të deklaruar rreth 2 milionë euro, dyshohet se është përfshirë në një skemë abuzimi me paratë publike, në bashkëpunim me biznesmenin Lulzim Sterkaj.
Në vitin 2001, Marinaj u zgjodh kryetar i Partisë Demokristiane për Malësinë e Madhe, pozicion të cilin e mbajti deri në vitin 2008. Ai iu bashkua Partisë Socialiste në vitin 2010. U kandidua nga PS në zgjedhjet lokale të vitit 2015, të cilat i fitoi me 54.57% të votave. Marinaj u konfirmua në zgjedhjet e 2019 si dhe në zgjedhjet e fundit lokale të 14 majit 2023.
Në fushatat elektorale, Tonin Marinaj është shfaqur në krah të deputetit Paulin Sterkaj, një personazh me ndikim në Malësinë e Madhe.

Besohet se Marinaj ishte një investim i Sterkajt, i cili në zgjedhjet e 2015 u denoncua se nxori pistoletën gjatë një incideti me përfaqëdues të opozitës.
Pasi zgjidhet kryetar i Bashkisë Malësi e Madhe, Tonin Marinaj nis të kanalizojë paratë publike në llogaritë e kompanisë Sterkaj shpk, përmes tenderave të dyshimtë dhe me flamur të kuq, herë me garë formale dhe herë pa garë, por gjithnjë me ofertë fituese gati sa fondi limit.

Tonin Marinaj ka firmosur të paktën 8 milionë euro tendera për kompaninë Sterkaj shpk, me procedura të dyshimta.
Pronar dhe administrator i kompanisë Sterkaj shpk është Lulzim Sterkaj, kushëriri i Paulin Sterkajt.
Lulzim Sterkaj, gjatë viteve të fundit, i vetëm dhe në bashkëpunim, ka përfituar rreth 70 milionë euro tendera publikë.
-A janë dhënë këto tendera nën ndikim të paligjshëm?
-Ku kanë përfunduar këto paratë publike pasi kanë kaluar në llogaritë e kompanisë Sterkaj shpk?

Ndërkaq, sipas të dhënave, Tonin Marinaj ka themeluar në vitin 1992 kompaninë Marina M sh.p.k, me aktivitet në fushën e tregtisë dhe më pas edhe në atë të ndërtimeve.
Në mars të vitit 2008, Tonin Marinaj i shet kompaninë bashkëshortes së tij, Lindita Marinajt.

Në vitin 2016, pasi Tonin Marinaj zgjidhet në krye të Bashkisë Malësi e Madhe, Lindita Marinajt ia dhuron kompaninë shtetasit Ylli Sterkaj.
Ky i fundit i ndryshon emrin kompanisë nga Marinaj M në MASTELA shpk.

Duket e çuditshme se si ka mundësi që zonja Lindita Marinaj dhuron një kompaninë me përvojë 20-vjeçare.
Ndërkaq, edhe Ylli Sterkaj është kushëriri i deputetit Paulin Sterkaj, djali i xhaxhait. Jo vetëm kaq. Por, Ylli Sterkaj ka qenë nënkryetar i Bashkisë Malësi e Madhe.

Dhurimi i kompanisë dyshohet se është një lëvizje fiktive. Ndërkaq, mbetet për t’u parë nëse kompania Sterkaj shpk, e cila ka marrë tendera nga Tonin Marinaj, ka kaluar apo jo para publike te kompania Mastele, ish kompani i Tonin Marinajt.
Por, vetë kompania Mastela (ish Marinaj M) ka marrë para publikë nga OSSH në Shkodër.