Zbulohet lista e institucioneve shqiptare që preken nga urdhri ekzekutiv i Donald Trump, për të pezulluar fondet ndihmëse në shtetet aleate të SHBA.
Sapo mori detyrën, presidenti Donald Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv që pezullon përkohësisht të gjitha programet e ndihmës së huaj nga ana e Shteteve të Bashkuara për 90 ditë, në mënyrë që të rishikohen dhe të përcaktohet nëse ato janë në përputhje me objektivat e tij politike.
Në urdhër, në mesin e shumë urdhrave ekzekutivë që zoti Trump firmosi në ditën e tij të parë të kthimit në detyrë, thuhej se “ndihma e huaj dhe burokracia nuk janë në linjë me interesat amerikane dhe në shumë raste në mospërputhje me vlerat amerikane“.
Rrjedhimisht, zoti Trump deklaroi se “nuk do të lëvrohet më asnjë ndihmë e huaj nëse nuk përputhet plotësisht me politikën e jashtme të Presidentit të Shteteve të Bashkuara”.
Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, u dërgoi një mesazh ambasadave amerikane në mbarë botën duke sqaruar zbatimin e urdhrit dhe menjëherë ambasada amerikane në Tiranë u ka dërguar një shkresë institucioneve shqiptare, duke informuar pezullimin e fondeve.
Shkresa përmban dhe një listë me institucionet që preken nga kjo tërheqje. Ajo i është dërguar fillimisht Ministrisë së Jashtme ku ndër të tjera thuhet: “Partnerët e programeve dhe zbatuesit e programeve të ndihmës së financuar nga SHBA në Shqipëri po njoftohen për këtë veprim. Ky dokument shërben si njoftim zyrtar për Qeverinë e Republikës së Shqipërisë. Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kërkon me mirësjellje që ky njoftim të ndahet me të gjitha ministritë, institucionet dhe entet e tjera qeveritare përkatëse që bashkëpunojnë përmes programeve ekzistuese të ndihmës së huaj të SHBA-së“.
Lista e institucioneve që preken
1. Ministria e Financave, duke përfshirë Agjencinë e Inteligjencës Financiare
2. Ministria e Brendshme, duke përfshirë Policinë e Shtetit Shqiptar, Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore dhe Qendrën e Koordinimit për Luftën kundër Ekstremizmit të Dhunshëm
3. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
4. Ministria e Drejtësisë, duke përfshirë Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve
5. Ministria e Mbrojtjes
6. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme
7. Ministria e Arsimit dhe Sportit
8. Ministria e Turizmit dhe Mjedisit
9. Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale
10. Ministria e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët
11. Ministria e Shtetit për Qeverisjen Vendore
12. Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit
13. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, duke përfshirë Koorporatën Elektro Energjetike Shqiptare (KESH), Operatorin e Sistemit të Transmetimit (OST), Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) dhe Bursën Shqiptare të Energjisë Elektrike (ALPEX)
14. Ministria e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin
15. Ministria e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin
16. Parlamenti, duke përfshirë komisionet e tij
17. Këshilli i Lartë Gjyqësor
18. Këshilli i Lartë i Prokurorisë
19. Gjykata Kushtetuese
20. Gjykata e Lartë
21. Të gjitha gjykatat, duke përfshirë Gjykatat e Apelit, Gjykatat Administrative të Apelit dhe Gjykatat e Shkallës së Parë
22. Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke përfshirë Prokurorinë e Posaçme dhe Byronë Kombëtare të Hetimit
23. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar
24. Gjykata e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar
25. Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm
26. Inspektori i Lartë i Drejtësisë
27. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit dhe Kolegjit të Posaçëm të Apelimit
28. Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK)
29. Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI)
30. Ministria e Shtetit dhe Zyra e Kryenegociatorit
31. Agjencia Shtetërore për Programimin Strategjik dhe Koordinimin e Ndihmës (SASPAC)
32. Të gjitha njësitë e qeverisjes vendore.