Këta janë llojet e avokatëve që e kanë shndërruar drejtësinë shqiptare në një pazar të lirë ku “hallexhiu” jo vetëm që nuk gjen të drejtën, por edhe i grabiten paratë.
Një tjetër rast skandaloz ku drejtësia blihet dhe shitet nga ata që duhet ta mbrojnë. Përsëri, në qendër të akuzave është avokati Idajet Beqiri, një emër i njohur në qarqet juridike, por mesa duket edhe një “ujk” i vjetër në grabitjen e parave të qytetarëve që kërkojnë ndihmë ligjore. Deri tani, medet “avokati” nuk ka fituar as gjyqet penale e civile, që ka hapur vetë kundër të afërmve, kolegëve, institucioneve dhe gazetarëve, sepse është aq “gdhë” në Jurisprudencë, sa dhe familjarët e tij marrin avokatë për çështjet që kanë.
Fiqiri Stafasani nga Burreli ka denoncuar publikisht një mashtrim të pastër që mban firmën e Idajet Beqirit. Sipas z. Stafasani, në vitin 2014, për një çështje personale ai iu drejtua këtij avokati, duke i dorëzuar plot 1.200.000 lekë të reja për ngritjen e një padie në gjykatë. Me gjithë besimin që kishte te “njeriu i ligjit”, ai i dha avokatit edhe një prokurë të posaçme për të ndjekur çështjen.
Por çfarë ndodhi më pas? Klasikja! Gjyqi u mbyll dhe u “zgjidh” përmes postës, ndërsa paratë u “avulluan” në xhepat e Beqirit. Dhe kur z. Stafasani u përball me realitetin se padia nuk ishte ngritur fare, ai u detyrua të paguajë nga e para për të rihapur çështjen. Pyetja që ngrihet është: Ku përfunduan 1.2 milion lekët e reja që ky avokat mori për një punë që nuk e kreu kurrë?
Por tallja nuk mbaron këtu! Kur qytetari iu drejtua Prokurorisë së Tiranës për të kërkuar drejtësi, organet tona “vigjilente” të drejtësisë e pushuan çështjen me justifikimin qesharak se “nuk përbën vepër penale”. Pra, për prokurorët tanë, një avokat mund t’i marrë një qytetari 1.2 milion lekë dhe të mos japë kurrë llogari.
Kjo nuk është hera e parë që Idajet Beqiri lakohet në skandale të tilla, por duket se mbrohet nga një sistem që ka humbur çdo ndjenjë përgjegjësie ndaj qytetarëve. Sa të tjerë si Fiqiri Stafasani janë mashtruar dhe grabitur nga ky avokat? Sa para janë futur në xhepat e tij në emër të “drejtësisë”?
Këta janë llojet e avokatëve që e kanë shndërruar drejtësinë shqiptare në një pazar të lirë ku “hallexhiu” jo vetëm që nuk gjen të drejtën, por edhe i grabiten paratë.
Pamfleti disponon faturën që provon pagesën e kryer ndaj avokatit Beqiri, një dokument që tregon qartë se ky nuk është thjesht një “keqkuptim”. Ky është një mashtrim i pastër, një vjedhje që meriton të dalë në dritë.
Po kush është avokati mashtrues Idajet Beqiri?
Idajet Beqiri është arrestuar në Kosovë me 24 maj 2012, pas kërkimit ndërkombëtar nga Drejtësia e Belgjikës, si i dënuar me 4 vite burg dhe i skeduar nga FBI e DEA, për mashtrime me viza perëndimore dhe ushtrim aktiviteti trafiku droge e kontrabandë me disa “të fortë” nga Tepelena, Vlora, Mallakastra e Fieri.
Për t’i shpëtuar udhër-arrestit në Shqipëri, në tetor të vitit 1998 u arratis në Belgjikë, ku u paraqit me pasaportë false si komandant lufte i UÇK me gradë e emër “Kolonel Ilir Duraku”.
Atje filloi aktivitetin e trafikut të armëve dhe tregtinë e drogës me qendër në rajonin Namur të Belgjikës dhe me grupe në Zvicër e Holandë, kur krijoi organizatën e tij kriminale, si gjoja lëvizja: “Fronti i Bashkuar Kombëtar Shqiptar”.
Me logon e kësaj organizate, grumbulloi shqiptarë nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia, të gjithë eksponentë të botës së krimit, mes tyre edhe dhëndrin e tij Argjent Mus Lita nga Dibra.
Veprimtaria e organizatës që drejtonte Idajet Beqiri, u cilësua “Organizatë terroriste” nga EUROPOL, EUROJUST, FBI e DEA Amerikane dhe nëpërmjet një dosjeje me prova konkrete në 2800 faqe të gjetura fashikuj e në kompjutera, ai u dënua me 4 vite burg nga drejtësia e Belgjikës.
Por arrestimi i tij nuk mund të realizohej, mbasi me një pasaportë tjetër false shqiptare me emër “Hidajet Riza Kuta”, u arratis në Konstanzë të Gjermanisë.
Atje filloi të përdorte emrin tjetër kosovar fals “Nisret Man Ferizaj”, duke treguar një medalje nderi false me logo të NATO-s, 1 certifikatë, 5 dekorata të UÇK dhe 1 autorizim sikur ishte ngarkuar nga komanda qendrore e UÇK-së, për grumbullim donacionesh për luftën, por pas denoncimeve, gjurmimit e verifikimit u prangos. Më pas u soll në Shqipëri.
Pas përfundimit të burgut në Shqipëri i dënuar 3 vite në dy shkallët gjyqësore, më 3 qershor 2010 drejtësia belge e ri-dënoi Idajet Beqirin edhe me 4 vite burg, duke i kërkuar Drejtësisë Shqiptare ta ekstradonte, por ai u arratis në Kosovë, ku qëndroi afro 2 vite i fshehur me 3 emra fals. Më 24 maj 2012, Idajeti u arrestua në Prizren për llogari të drejtësisë belge, por pas 40 ditësh burg, në vend të ekstradohej në Belgjikë u deportua në Shqipëri, ndërsa në Belgjikë, përveç heqjes së shtetësisë, ka akoma në fuqi dënimin 2 herë nga 4 vite burg. Për shkak të kësaj veprimtarie, ai është i padëshirur në SHBA.