Krahas planit për t’u katapultuar në formë të paligjshme në krye të RTSH, drejtoresha e komanduar e RTSH, Aurora Polo ka firmosur dy kontrata të dyshimta me vlerë 110 mijë euro, për blerje filmash, me Zamir Sukniqin, një personazh i arrestuar për vetëgjyqësi. Kontratat janë nënshkruar me kompaninë Albatrade shpk, me administrator dhe pronar Zamir Sukniqin. Kompania është themeluar në shtator 2024 dhe ka nisur të marrë para nga RTSH dy muaj më pas.
Kontrata e parë është kopsitur me shpejtësi në dhjetor 2024. Kontrata e dytë, me numër protokolli 257/8, mban datën 24 janar 2025, tri ditë para se të bëhej përzgjedhja e kandidaturave për drejtor i përgjithshëm i RTSH-së nga Këshilli i Korrupsionit të RTSH.
Kontrata e parë, me filma artistikë ku ka edhe filma të prodhuar më vitet 1990 dhe 1998 (të konsumuar), ka shumën 50 milionë
lekë. Kontrata e dytë me dokumentarë, parashikohet në vlerën 60 milionë
lekë (kjo e nënshkruar më datë 24 janar, pra tani që po zhvillohet gara për drejtor).
SPAK duhet të hetojë lëvizjen e parave pas kalimit te shoqëria tregtare Albatrade si kontaktet mes pronarit të kësaj kompanie dhe Aurora Polos. Gjithashtu janë disa projekte emisionesh ku underground është i përfshirë këshilltari Ilir Keko, i cili në konflikt interesi kërkoi të shkonte në Kinë me paratë e RTSH, për të bërë një dokumentar për babanë e tij, Endri Keko.
Çfarë lidhjeje ka këshilltari Ilir Keko me projektin e emisionit Brezballje? Sa kushton emisioni dhe ku përfundojnë paratë? Mungesa e transparencës, siç deklaroi edhe vetë kryetari i Këshillit Leka Bungo, ka bërë që
në ambientet e RTSH-së të ketë shumë dyshime, lëvizje dhe skema me paratë publike.
Paligjshmëri dhe përfitime
Aurora Polo është emëruar nëndrejtoreshë në paligjshmëri të plotë pasi nuk plotëson kriterin e eksperiancës 5-vjeçare menaxheriale në media. Ajo tentoi t’a përsërisë paligjshmërinë duke u dhënë qoka të ndryshme anëtarëve të Këshillit.
Zonja “elektriçiste” nuk ka kriterin bazë të eksperiencës në media i cili duhet të jetë mbi 5 vjet. Ka konflikt të hapur interesi sepse ka biznes personal, ka patur biznes edhe kur u zgjodh nëndrejtoreshë, duke vendosur Këshillin në paligjshmëri të plotë. Pas demaskimit tonë rezulton që ka bërë aplikim për mbyllje biznesi pasi të ardhurat në RTSH qënkërshkan më të larta se të ardhurat e biznesit. Por, shumë shpejt Aurora Polo nuk do ketë as dëshmi penaliteti të pastër sepse do shkojë në burgun e Pogradecit.
Zonja Aurora Polo në dhjetor 2024 ka vjedhur 300,000 lekë nga fondet e festivalit, tashmë të dokumentuar dhe në kundërshtim me Vendimin e Këshillit drejtues që nuk i lejohet t’i jap shpërblime dhe honorare vetes.
Emërimet klienteliste
Aurora Polo duhet të mbajë përgjegjësi ligjore edhe për emërimet e jashtë ligjshme që ka kryer. Bashkëpuntoren më të afërt të Pezës, drejtoreshën e Burimeve Njerëzore e shkarkoi nga detyra dhe e emeroi në një post më të rëndësishëm, në atë të drejtoreshës së Qendrave Vendore Radiotelevizive të Shqipërisë. Detyrën e re e ushtron kryesisht me korrespodencë.
Në vend të saj emëroi Florida Tare, zevendësen, e cila duhet ta dijë më mirë se kushdo tjetër se një emërim pa garë është në kundërshtim me ligjin, por mesa duket kjo pjesë duket se nuk i intereson shumë. Florida Tare mbahet mend që dilte me bllok në dorë për të marrë mungesat e atyre që piketonte Peza për të larguar.
Ish shefen e kabinetit të Pezës Prishila Tafaj e shkarkoi nga detyra dhe e emëroi në kundërshtim me ligjin (pa garë) drejtoreshë të Departamentit të Promocionit dhe Shitjeve, prej të cilës përfiton edhe pagë më të lartë. Prishilën e zëvendësoi me Elton Metajn, dhëndri i anëtarit të Këshillit Drejtues Edmond Tullumanit, i cili tashmë ushtron detyrën e shefit të kabinetit të Aurorës.
Valbona Lilo, një nga ish financieret e sektorit të buxhetit, e cila sipas KLSH i ka sjellë RTSH-së një dëm financiar mbi dymbedhjetë mijë euro dhe sipas raportit të këtij institucioni duhet të merrte masën e paralajmërmit për pushim nga puna, me ndihmën e Aurorës i ngjiti shpejt shkallët e karrierës. Në kundërshtim me ligjin (pa garë), Aurora Polo e emëroi Valbona Lilon drejtoreshë të Departamentit më të rëndësishëm, në atë të Ekonomisë dhe Financave. Valbona Lilo ka firmosur shpërblimin e paligjshëm për Auro Polon si drejtoreshë festivali.
Aurora Polo ka emëruar edhe tre shoqe të saj në pozicione të rëndësishme. Sommeljeren Entela Cenkon e ka emëruar specialiste të marketigut në RTSH, pozicion të cilin e përdor për të promovuar biznesin e saj të verërave.
Rudina Kollarin e ka emëruar në krye të Akademisë së RTSH, ndërsa shoqen e tretë e ka caktuar në krye të prokurimeve të RTSH.
Aurora Polo ka emëruar edhe tre shoqet e vajzës së saj në RTSH, ku njera prej tyre Klaudja Murati prezanton motin.
Qokat e Aurora Polos për anëtarët e Këshillit :
Dionis Papadhimitri ka futur duart në buxhetin e RTSH. Sipas një raporti të KLSH, Papadhimitri ka përfituar 30 milionë lekë nga RTSH në mënyrë të kundraligjshme.
Përmes një shkresë të firmosur nga ish-drejtori Alfred Peza, Gëzim Podgorica së bashku me Ilir Kekon, një tjetër anëtar i Këshillit Drejtues, shprehin interesin për realizimin e një dokumentari për babain e këtij të fundit, Endri Keko. Po sipas këtij dokumenti Drejtori i Përgjithshëm ofron të gjithë mbështetjen e nevojshme për realizimin e dokumentarit.
Qokat ndaj këtyre dy anëtarëve të Këshillit nuk mbarojnë këtu. Podgorica dhe Keko kanë qenë dy herë pjesë e delegacioneve të Festivalit Europian të Këngës. Duke mos patur asnjë lidhje me muzikën ata “shëtisin” me paratë e taksapaguesve dhe zënë vendin emrave me kontribut ndër vite në Festivalet e RTSH, si Irma Libohova, Luan Zhegu, Elton Deda, Shpëtim Saraçi e shumë të tjerë.
Anëtarët e Këshillit nuk kanë asnjë lidhje me muzikën, por kanë secili nga një votë dhe duhet të ngrenë dorën sa herë ti duhet Drejtorit, ndaj për këtë i meritojnë disa “dhurata” të vogla.
Gëzim Podgorica, nga ana e tjetër, është koordinator i Agjencisë Mediatike kineze SEHORA në Tiranë. Paguhet nga qeveria kineze me një pagë 7 mijë euro në muaj.
Edmond Tullumani është gjithashtu në konflikt interesi. Dhëndri i tij Elton Metaj është emëruar nga Aurora Polo shef kabineti i drejtorit të RTSH. Vajza e Tullumanit, Romana Tullumani, u caktua nga Polo pjesë e jurisë së Festivalit të 63 të RTSH.
Milena Selimi ka gjithashtu interesa familjare. Vajza e saj Alesia Burnazi ka marrë projekt në radio nga Aurora Polo. Pra, nënë e bijë marrin para publike në të njëjtin institucion.
Ëngjëll Ndocaj përdor infrastrukturën e RTSH për të bërë emisione si dhe merr para për transmetimin në RTSH të emisioneve të tij mediokre. Një emision në RTSH është bërë edhe për babanë e tij Filip Ndocajn.
Albert Minga është gjithashtu i zhytur në batakun e interesave të RTSH. Vajza e tij Aulona Minga ka marrë projekt në RTSH. Babë e bijë, në konflikt flagrant interesi, marrin para publike.