Apeli i GJKKO-së ka marrë sot vendimin për ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka, ish-deputetin e PS-së Alqi Bllako dhe shtatë të pandehurit e tjerë, që akuzohen se janë përfshirë në aferën e inceneratorit të Elbasanit.
Togat e zeza vendosën për Lefter Kokën me 10 vite burg me gjykim të shkurtuar 6 vite e 8 muaj
Alqi Bllako shpallet fajtor dhe dënohet për shpërdorim detyre me 4 vite burg me gjykim të shkurtuar 2 vite e 8 muaj.
Klodian Zoto u dënua me 10 vite burg, dhe me gjykim të shkurtuar do vuajë 6.8 vite burgim. I njëjti dënim u dha edhe për Mirel Mërtirin.
Stela Gugallja u dënua me 7 vite burgim dhe me gjykim të shkurtuar do vuaj 4.8 vite. Pëllumb Abeshi dhe Jonida Zeqo u dënuan me 4 vite heqje lirie dhe me gjykim të shkurtuar do vuajnë 2.8 vite heqje lirie.
Apeli i Posaçëm la në fuqi dënimet edhe për Bardhyl Çabirin që u dënua me 2 vjet dhe Serafin Papa 1.4 burg.
Apeli i shpalli dy ish-zyrtarët e lartë fajtorë dhe për shpërdorim detyre, vepër për të cilën nga shkalla e parë kishin marrë pafajësinë. Ndërsa për të akuzuarit e tjerë nuk ka ndryshime.
Në shkallën e parë Koka ishte dënuar me 5.8 vite me gjykim të shkurtuar, kurse Apeli vendosi 6 vite e 8 muaj heqje lirie. Kurse Bllako në shkallën e parë ishte shpallur i pafajshëm, kurse apeli vendosi 2,8 vite burg, me gjykim te shkurtuar.
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ishte e përbërë me trup gjykues nga gjyqtarët Iliriana Olldashi si kryesuese, Saida Dollani dhe Engert Pëllumbi si anëtarë. Vendimi ka lidhje me çështjen e regjistruar me nr. 35 akti, datë 16 Maj 2024, i bazuar mbi ankimin e SPAK-ut.