Ndërsa qytetarët konsumuan fileto pule të infektuar me salmonelë, të importuar nga Brazili nga kompania “AMG FOOD” (marka “diMal”), Ministrja e Bujqësisë, Anila Denaj, vendosi të dalë në televizor jo për të kërkuar falje, por për të dhënë një justifikim që ka lënë pa fjalë opinionin publik: “Salmonelë ka në gjithë botën. Vitin e kaluar në Europë u raportuan 77 mijë raste!”
Me pak fjalë, nuk ka problem që mish i kontaminuar u fut në Shqipëri dhe përfundoi në tryezat e qytetarëve pa dalë analizat – sepse, sipas ministres, “kështu ndodh kudo”.
“Salmonela dhe shumë sëmundje të tjera të cilat vijnë nga bimët dhe nga kafshët, në vitet e fundit, në Evropë dhe në gjithë botën janë rritur. Unë dua të them vetëm një shifër që vetëm vitin e shkuar në Evropë, rastet e salmonelës ishin 77 mijë, krahasuar me një vit më parë, 65 mijë, pra është një situatë që ndeshet kudo…” – tha ndër të tjera Anila Denaj në një emision televiziv ditën e sotme.
Për ironi, autoritetet shqiptare nuk e bënë publik emrin e kompanisë, duke i lënë konsumatorët në errësirë. Dhe kur AKU më në fund reagoi, ishte vetëm pasi mediat publikuan rastin – jo se institucionet kishin ndërmend të ndërhynin vetë.
Ky skandal nuk është i vetmi: pas tij vijnë edhe tre ngarkesa me luleshtrydhe me pesticide nga Greqia, specat e kthyer nga Kroacia për të njëjtën arsye, si dhe mandarinat e refuzuara në BE që përfunduan… ku tjetër veçse në tregun shqiptar.
Megjithatë, në vend që të merren masa apo të mbahet përgjegjësi, ministrja Denaj dhe kreu i AKU-së, Manush Kullolli, janë të zënë me fushatën elektorale për zgjedhjet e 11 majit.
Sepse në Shqipëri, siguria ushqimore vjen pas votave.