I vendoset sekuestro 102 kontejnerëve me mbetje toksike në anijen Moliva e cila u kthye mbrapsht pas tre muajsh që u nis nga Shqipëria.
Prokuroria e Durrësit me një vendim që mban datën e djeshme, 27 tetor 2024 iu dërgon një urdhër ekzekutimi: Autoritetit Portual Durrës; Kapitenierisë Detaje; Degës së Doganës Durrës; Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Durrës; Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, Drejtorisë së Hetimit Doganor dhe për dijeni Drejtorisë së Përgjithshme Detare Tiranë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave Tiranë për sekuestrimin e kontejnerëve në lidhje me procedimin penal.
VENDIMI
“Në Durrës sot më datë 27.10.2024,
Ne, Suela Beluli dhe Mediana Meta, prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, pasi studiova fashikullin e procedimit penal Nr.1596 viti 2024,
KONSTATOVA:
Se, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, ka regjistruar procedimin penal nr. 1596 viti 2024, për veprat penale të parashikuara nga nenet 171, 201/b dhe 248 të K.Penal.
Në funksion të këtij procedimi është e nevojshme të sekuestrohen në cilësinë e provës materiale me qëllim kryerjen e ekspertimeve përkatëse 102 kontenierë, të cilët janë duke u transportuar në Shqipëri me anijen MOLIVA XA443A dhe që sipas informacioneve të Drejtorisë së Hetimit Doganor janë kontenierët të cilët janë transportuar sipas deklaratës doganore R27224 datë 04.07.2024 me eksportues Sokolaj sh.p.k. dhe marrës GS Minerals Doo.
Për këto arsye, bazuar ne nenet 187, 188, 189, 208 dhe 304 të K.Pr.Penale,
VENDOSA:
1. Sekuestrimin në cilësinë e provës materialeve të 102 kontenierëve të cilët janë duke u transportuar me anijen MOLIVA XA443A.
2. Për kryerjen e këtij veprimi ngarkohen Drejtoria e Përgjithshme Detare, Kapiteneria Durrës, Autoriteti Portual Durrës, Dega e Doganës Durrës, Drejtoria Vendore e Kufirit
dhe Migracionit dhe oficerë të policisë gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe Drejtorisë së Hetimit Doganor.
3. Gjatë ekzekutimit të vendimit të përshkruhen në mënyrë të detajuar karakteristikat dhe numrat e kontenierëve si dhe të dhënat mbi kodin e sigurisë dhe gjendjen e plumceve të secilit kontenier, pa proceduar me hapjen e kontenierëve
4. Të mbahet proceverbali i sekuestrimit të sendeve,I cili të nënshkruhet nga të gjithë pjesmarrësit në këtë veprim.
“Bashkëlidhur me këtë shkresë, po ju dërgojmë për ekzekutim Vendimin e Prokurorit datë 26.10.2024 për sekuestrimin e konteniereve në lidhje me proçedimin penal nr.1596/2024. Të gjithë subjektet e ngarkuara me zbatimin e këtij vendimi të nënshkruajnë në procesverbalin e sekuestrimit, në të cilin të përshkruhen në mënyrë të detajuar të gjitha veprimet që do kryhen në ekzekutim të vendimit dhe përshkrimi i saktë i sendeve.
Të merren masa që sendet e sekuestruara të depozitohen në një vënd të sigurtë si përsa i përket sigurisë mjedisore dhe asaj fizike, nëpërmjet monitorimit të kamerave 24 orë. Sendet e sekuestrua të mbahen në gjendjen që janë pa u proceduar me hapjen e tyre.
Praktika e mbajtur për ekzekutimin të dërgohet menjëherë në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës”.
MBËRRITJA
Anija e ngarkuar me 2100 tonelata mbetje që dyshohet se përmbajnë lëndë të rrezikshme mbërriti në portin e Durrësit sot rreth orës 07:30.
Ngarkesa që besohet se përmban mbetje nga hiri i oxhaqeve metalurgjike, ishte nisur nga Shqipëria në korrik të këtij viti me destinacion Tajlandën e cila e refuzoi atë pas alarmit të dhënë nga organizata joqeveritare ‘Rrjeti i Aksionit të Bazelit’ me seli në Seattle, të Shteteve të Bashkuara.
Pas 3 muajve lundrim në det, deri në Azinë e largët, kontejnerët me mbetjet industriale të cilat dyshohet se janë pluhur helmues, që del nga oxhaqet e fabrikave metalurgjike, mbërritën ngarkuar në një anije të nisur nga Gioia Tauro në Itali.