Ka përfunduar mëngjesin e së shtunës procesi i shkarkimit të kontejnerëve me mbetje të dyshuara toksike nga anija Moliva, që u ankorua një ditë më parë në portin e Durrësit.
Eshtë bërë edhe transporti i kontejnerëve në vendin e përcaktuar në zonën e Spitallës.
Mësohet se tashmë me administrimin dhe magazimin e kontejnerëve, pritet që procedura e radhës të jetë marrja e kampionëve të lëndëve të dyshuara të rrezukshme për t’i dërguar në laborator. Ndërkohë, pak minuta më parë, anija Moliva u largua nga porti i Durrësit dhe vijon intenerarin e saj.
Kontejnerët janë vendosur në një hapësirë toke të sekuestruar nga “Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose Konfiskuar”, e cila është përshtatur dhe monitorohet nga kamera.
Kontejnerët me mbi 2 mijë ton mbetje nga djegia e hekurit dhe çelikut u nisën nga Porti i Durrësit që nga data e 4 gusht me destinacion final Tajlandën.
Pas përfundimit të operacionit të shkarkimit dhe skanimit të 102 kontejnerëve me mbetje të dyshuara toksike, anija turke “Moliva” ka lënë portin e Durrësit dhe është nisur drejt portit italian Gioia Tauro, ku do të vazhdojë normalisht aktivitetin e saj transportues.
Operacioni i koordinuar i autoriteteve shqiptare i dha fund qëndrimit të gjatë të anijes në Shqipëri, një periudhë që u shoqërua me procedura të hollësishme sigurie dhe kontrolli. Ndërkohë ngarkesa me mbetje u depozitua në venddepozitimin e krijuar në kohë rekord në periferi të qytetit bregdetar, në Spitallë, në afërsi të EkoParkut, rrugës për në Sektorin Rinia.
Venddepozitimi i sapokrijuar ku ndodhen rreth 2100 mbetje të metalurgjikut është nën administrimin e AAPSK dhe nën monitorim të plotë të kamerave dhe policisë.