Përveç pushtimit dhe kthimit në resort pa leje të Kalasë së Lëkurësit në Sarandë; parcelave të kanabisit, trafikut të kokainës; gjobëvenieve ndaj bizneseve dhe pastrimit të parave me blerje pasuri e ndërtime, krye trafikanti Andrea Çaushi alias Renato Çaushi, i është futur dhe tenderëve.
Në datën 4 nëntor 2024, Shoqëria Ujësjellës- Kanalizime e Vlorës, njoftoi në Buletinin e Prokurimeve Publike, se ka zhvilluar procedurën e tenderimit, me objekt “Blerje matësa uji”, në vlerë kontrate 260 milionë lekë me TVSH.
Nga 5 kompani pjesëmarrëse, drejtoria e ujësjellësit shpalli fituese kompaninë “AZ TRADING Sh.p.k”, megjithëse kishte ofertë 30 milionë lekë më të lartë se oferta më e ulët, por kështu vendosi komisioni vlerësues, mbasi kjo kompani ka dy favore specifike.
Është kompani e kryetrafikantit Andrea Çaushi alias Renato Çaushi nga Kalivaçi i Tepelenës e me banim në Sarandë dhe Tiranë, njohur e skeduar, si sponsor i fushatave të PS dhe “i forti” që mbledh vota për këtë parti.
Kjo kompani është krijuar më 12 mars 2018, me 70% nga kryetrafikanti Andrea Cuashi, por për shkak se është subjekt i ligjit anti-mafia, e regjistroi në emër të Eno Veshit edhe ky me precedentë penalë.
Ndërsa 30% kishin dy kushërinjve Armand e Enea Qendro, por të tre janë ortakë dhe në 3 biznese të tjera me Visi e Dritjona Çaushi, vëllai dhe motra e krye-trafikantit Andrea Çaushi.
Në datën 16 korrik 2022, krye trafikanti Andrea Çaushi, detyroi kushërinjtë Armand e Enea Qendro, t’i jepnin 30% aksione, mikut të tij Eno Veshi; të cilët, kapitalin e tyre 2 milionë Euro, ia shitën me 30 (tridhjetë) lekë të reja, nëpërmjet noteres Ridvana Ruçi, vajza e Gramoz Ruçit.
Sipas një raporti të SHISH, thuhet se krye trafikanti Andrea Çaushi, ua mori 30% aksione të kompanisë “AZ TRADING Sh.p.k”, si këmbim të detyrimit nga prishja e një pazari për parcelat e kanabisit dhe të një sasie kokaine të hedhur të treg.
Tashmë, kompania “AZ TRADING Sh.p.k”, në letra është e regjistruar 100% në emrin e Eno Veshit, ndërsa de-facto është në pronësi të krye trafikantit Andrea Çuashi alias Renato Çaushi, me 8 dosje penale për trafik droge, rrëmbim personi, gjobëvënie ndaj bizneseve, zaptim e grabitje tokash me dhunë, plagosje e vrasje me dashje, armë-mbajtje pa leje dhe në kërkim nga Italia për trafik ndërkombëtar të 900 kg drogë.
Por pas çdo krimi në Shqipëri, ai është liruar me ryshfete ndaj krye policëve, prokurorëve e gjyqtarëve, me ndërhyrje të krerëvë të pushtetit dhe me garanci financiare.
Por ky profil kriminal, nuk e ka penguar krye trafikantin Andrea Çaushi, të marrë miliona Euro tenderë shtetëror duke vepruar e maskuar pas kompanisë “AZ TRADING Sh.p.k”, regjistruar në emër të mikut të tij Eno Veshi, eksponent i botës së krimit edhe ky.
Ndërsa gjatë viteve 2019-2024, kompania “AZ TRADING Sh.p.k” e krye trafikantit Andrea Çaushi, ka marrë 15 milionë Euro tenderë nga qeveria, shumica në vlera kontrate sa fondet limit e pa garë, ndërsa SPAK që e ka subjekt të ligjit anti-mafie nuk vepron ndaj tij./Pamfleti