Policia ka arrestuar dy shtetas pasi shfrytëzonin për prostitucion 5 shtetase të huaja të cilat i kishin sjellë në Shqipëri. Gjatë operacionit ‘Red Light 3’ u ndaluan A.W., 45 vjeçe dhe Zh.Y., 30 vjeçe.
Sakaq ka nisur hetimi për shtetaset kineze që shfrytëzoheshin për prostitucion si dhe për një 62 vjeçar G.L., banues në Tiranë.
Nga hetimet e policisë rezultoi se dy shtetasit e arrestuar i sillnin 5 kinezet në Tiranë duke i premtuar vend pune si masazhuese.
‘Gjatë operacionit u ndaluan shtetasit A. W., 45 vjeçe, Zh. Y., 30 vjeç, për veprat penale “Trafikimi i personave të rritur”, “Shfrytëzimi i prostitucionit” dhe “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 110/a, 114 dhe 115 e 25 të Kodit Penal.
Gjithashtu, u proceduan në gjendje të lirë për veprën penale “Prostitucioni”, parashikuar nga neni 113 i Kodit Penal, 5 shtetase kineze, si dhe për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, shtetasi G. L., 62 vjeç, banues në Tiranë.
Nga veprimet hetimore është dokumentuar ligjërisht fakti se autorët e dyshuar i reklamonin në faqe online, shtetaset që i shfrytëzonin për prostitucion, gjenin klientët, i prisnin ata në hyrjen e pallatit ku ushtrohej prostitucioni dhe pas kryerjes së pagesave që varionin nga 200-300 euro, i dërgonin klientët në apartament’, thotë policia.