Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, mbërriti sërish të mërkurën në kryesinë e Kuvendit, ku është thërritur të dëshmojë në Komisionin Hetimor për Koncesionet në Shëndetësi. Njëlloj si një ditë më parë, Beqaj u shoqërua nga oficerët e policisë, teksa një xhup mbulonte duart me pranga.
Në këtë komision, opozita ka kërkuar me ngulm që kryeministri Rama dhe Vilma Nushi si dy të përshirë në aferë, të vijnë të dëshmojnë në komision.
‘I mbetemi kërkesës që Edi Rama të paraqitet në komision. Kemi firmën e Ramës në VKM që ka kërkuar para se të nisnin procedurat e koncensioneve që përcakton qartë se cilat shërbime do të koncensionohen. Ka qenë Rama që ka qenë mbrojtësi i koncensionit të Check Up dhe propagandonte koncensionin e Check Up. Domosdoshmëri, paraqitja dhe dëshmia e njërës prej përfitueseve më të mëdha të koncensionit të Check Up, u hartua dhe u programua duke pasur parasysh që do i jepet sponsores së Edi Ramës. Vilma Nushi ka përfituar, dëshmia e saj është e domosdoshme për hetimin parlamentar. Janë edhe disa persona midis të cilëve, Artan Lleshi, Biba që janë punonjës të sterilizimit.’, tha Albana Vokshi, kryetarja e Komisionit Hetimor.
Më tej Vokshi theksoi se PS nuk po i vjen keq për ish ministrin Beqaj që ka dy ditë që sillet me pranga në komision, por intersohen vetëm për të penguar dëshimë e kryeministrit dhe Vilma Nushit.
Ditën e djeshme, për më shumë se 4 orë, Ilir Beqaj qëndroi si spektator në sallë, duke dëgjuar replikat në seri mes anëtarëve të komisionit që hera-herës ishin të tensionuara.
Në debat u përfshi dhe ish-ministri, të cilit ende zyrtarisht nuk i ishte dhënë fjala. “Mos më thuaj mua i shkreti. Nuk dua asnjë konsideratë personale nga ju”, i tha Beqaj kryetares së komisionit Albana Vokshi.
Mungesa e dakordësisë detyroi disa herë kryetaren e komisionit Albana Vokshi që të ndërpriste mbledhjen, por as pushimet e gjata nuk sollën reflektim. “Mua më vjen keq që e nxorët atë të shkretin nga burgu, me pranga në duar, vetëm për të bërë show. Ju nuk doni dëshmi sepse doni të fshihni vjedhjet e të rritet korrupsioni. E sotmja ishte skenar i përgatitur”, deklaroi Vokshi.
Ndërkohë, anëtarët e opozitës në Komisionin Hetimor për koncesionet në shëndetësi nuk tërhiqen nga qëndrimi i tyre për të thirrur për të dëshmuar për këtë çështje kryeministrin Edi Rama dhe Vilma Nushin.
Ata kanë firmosur dokumentin ku kërkojnë këtë të mërkurë të dëshmojë Edi Rama në cilësinë e Kryeministrit i cili ka firmosur VKM-në për dhënien me koncesion të këtyre shërbimeve.
Po ashtu kërkohet thirrja si dëshmitare po këtë të mërkurë edhe e zonjës Vilma Nushi në cilësinë e pronares së dy kompanive e cila është pjesë e një prej koncesioneve objekt i veprimtarisë hetimore të këtij Komisioni.
Sipas anëtarëve të opozitës refuzimi i përsëritur nga ana e anëtarëve të mazhorancës në këtë Komision, për të thirrur Ramën dhe Nushin është tërësisht në kundërshtim me Vendimin e Gjykatës Kushtetuese sa i takon Ligjit për Komisionet Hetimore dhe ligjet në fuqi.