Një qytetar ka ngritur një shqetësim publik ndaj kompanisë “One Albania” dhe veprimeve të stafit në një pikë shërbimi në qytetin e Elbasanit, duke denoncuar abuzime dhe mungesë transparence.
Ai rrëfen se prej disa kohësh është përballur me problematika të vazhdueshme për shkak të tarifave të pasakta që i janë vendosur nënës së tij të moshuar, e cila ka paguar shuma të ndryshme për oferta që më pas nuk janë aktivizuar siç duhet.
Sipas denoncimit të tij, në disa raste, nëna ka paguar 1500 lekë të reja për një ofertë, ndërsa në realitet i është aktivizuar një ofertë prej vetëm 1000 lekësh, duke mbetur me shërbime më të kufizuara nga sa kishte paguar. Qytetari shprehet se së fundmi ka shkuar në pikën e “One” për të aktivizuar një ofertë prej 1900 lekësh në numrin e tij. Punonjësit e kanë siguruar se oferta është aktivizuar, por më pas ai mori një mesazh që e informonte për një tarifë prej 1100 lekësh.
I shqetësuar, ai kontaktoi kompaninë përmes telefonit dhe u informua se në fakt kishte të aktivizuar ofertën prej 1100 lekësh, duke përgënjeshtruar informacionin e dhënë në pikën e shërbimit.
Kur u rikthye për të sqaruar situatën, qytetari deklaron se u përball me një qëndrim të paqartë dhe të pandershëm nga punonjësit, të cilët, sipas tij, e trajtuan me sjellje të papërshtatshme dhe mungesë respekti.