Disa ditë më parë, Sali Berisha, duke u kamufluar pas ‘qytetarit digital’, shkroi se prokurori i SPAK Ols Dado kishte liruar nga burgu kunatin e Altin Hajrit, i dyshuar si autor i atentatit të ndodhur në lokalin Kështjella, ku u ekzekutua Alfred Dedja. Nga përgjimet e SKY ECC kishte rezultuar se Altin Hajri kishte kërkuar ndihmë tek ish deputeti i PS-së Jurgis Çyrbja për t’a liruar kunatin e tij, ndërsa flisnin me një personazh, i dyshuar si njeri i drejtësisë, me emrin Ols.
SPAK doli me një deklaratë për median, duke përgënjeshtruar pretendimet se prokurori i SPAK Ols Dado kishte liruar nga burgu kunatin e Altin Hajrit. “SPAK sqaron se informacionet që janë përmendur në këtë deklaratë janë tërësisht të pavërteta dhe nuk kanë asnjë lidhje me prokurorin e përmendur. SPAK i bën thirrje mediave dhe opinionit publik të jenë të kujdesshëm ndaj informacioneve të pasakta dhe spekulative“, thuhej në deklaratë.
Natyrisht, mes SPAK-ut dhe Sali Berishës, opinioni publik është i prirur të besojë SPAK-un, si institucioni më i besueshëm në Shqipëri pas Ambasadës Amerikane. Por nga ana tjetër mbetet enigmë se kush është Olsi për të cilin flisnin Jurgis Çyrbja dhe Altin Hajri. Në kushtet kur Olsi i përmendur mbetet mister, dyshimet janë të pashmangshme. Dhe i vetmi që mund t’u japë fund këtyre dyshimeve është Jurgis Çyrbja, i cili në dosje rezulton se kishte lidhje të ngushta edhe me një ministër.
A do të flasë Jurgis Çyrbja se cili është Olsi në dosjen e tij dhe çfarë raportesh kishte me atë?
A ka episode të tjera më të plota dhe evidente në dosjen e Jurgis Çyrbes, të cilat janë fshehur apo komunikime kompromentuese që nuk janë bërë pjesë të dosjes, komunikime të cilat mund të nxirrnin në pah Olsin misterioz?
Po foto të këtij Olsit enigmatik a ka me politikanë të nivelit të lartë? A i kanë parë këto foto amerikanët dhe Edi Rama?
Julian Gjoshi, kunati i Altin Hajrit, u arrestua në Tiranë, në muajin Janar 2021, me pistoletë pa leje. Arrestimi mobilizoi Hajrin, i cili i kërkoi ndihmë zyrtarit të Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja, për të gjerur një shteg në drejtësi, përmes korruptimit dhe ndikimit të paligjshëm, për të liruar kunatin. Në mesazhet e dërguara del ndihma që ka dhënë një personazh i quajtur “Ols”, i cili dyshohet se është funksionar i drejtësisë, mik i Jurgis Çyrbes, por pa dalë se kush është konkretisht.
“Jepi 20 mijë euro sa dojn ai, veç ta mbarojë…. Më 21 del në gjyq. Faleminderit dhe prej teje, të fala bëj Mikut tat Olsit…”, i shkruan Hajri ish deputetit Çyrbja. Personazhi “Ols”, duket se ka luajtur një rol të veçantë për lehtësimin e pozitës juridike dhe masës së sigurisë për të arrestuarin Julian Gjoshi.
Altin Hajri i shkruan Jurgis Çyrbes, ku pasi e falenderon për ndihmën e madhe që i ka dhënë për kunatin e arrestuar, kërkon nga Çyrbja masat trupore për mikun e tij të quajtur “Ols”, për i cili sipas bisedës ka dhënë një ndihmë të çmuar në zgjidhjen e këtij rasti të arrestimit të kunatit me armë pa leje.”…Ok shum mirë ke bë, meri masat me stil t’ja mar, ja dy kustume…”-i shkruan Jurgis Çyrbes, personi në kërkim Altin Hajri.
Në 23 dhjetor 2021, gjyqtarja Shefkie Demiraj, vendosi të pranojë pretencën e prokurorit, duke dënuar me 4 vjet burg Julian Gjoshin, kunatin e Altin Hajrit. Por në ndryshim nga prokurori, gjyqtarja Demiraj vendosi të aplikojë nenin 59 të Kodit Penal, duke urdhëruar pezullimin e vuajtjes së dënimit me burg, duke e liruar nga qelia Julian Gjoshin dhe vënë atë në shërbim prove me kushtin që gjatë një periudhe 3 vjeçare ai të mos kryejë asnjë vepër penale.
Por rezulton e provuar se këtë kusht të vendosur nga gjykata e Tiranës, Julian Gjoshi, nuk e ka respektuar pasi në 25 prill 2023 është përfshirë në një aksident rrugor duke goditur me mjetin e tij “Land Rover”, shtetasen Stejsi Çela. Kjo çështje tashmë është pushuar nga prokuroria e Tiranës. Pra, në dy raste, në 2021 dhe 2023, drejtësia ka favorizuar kunatin e Altin Hajrit, i cili konsiderohet si organizatori i rrëmbimit dhe zhdukjes së trupit të Jan Prengës.
Enigma nuk duket edhe aq e vështirë. Në komunikimet e Altin Hajrit kuptohet se jo vetëm Jurgis Çyrbja ka lidhje me Olsin, por një ministër e ka shok Olsin dhe avokati i kunatit të Hajrit ishte njeri i afërt i Olsit.
“…ma kanë dhonë fjalën, veç po presin një letër porosi dhe jam “ok” vëlla. Ka mundësi ai se është burri mirë ky tani, që është Ministër vlla. E ka shum shok me than shife vet aman, se më prishin shumë punë, se po i rregulloj ishalla këtë muaj që vjen. Dhe Ols, e ka bo punën e vet vëlla, thuaj faleminderit shum thuj…. Mos harro se e ka bo punën e vet se i kishte thonë avokatit, është porosia shefit. Për Ols vëlla, plus ka qën ke avokati vet 2 herë, e ka bo punën e vetë. A kupton ça po të them. Për atë mikun tat që pate shku ti po të them takoje, thuj falemindërit dhe më bjerë masat t’i boj nja dy kustume që t’ja çosh. Po për zotin është porosia shefit, kishte thënë avokati i kishte thon dum avokat po për zotin e mall e ka bë të vetën. Më tha avokati, e ka bo si burrat ai tha se ai nuk përzihet tha, se avokati e ka robin e vet ai, rrofsh vëlla. Shif aman të bojnë ca ndryshime këtu ke lagja dhe ja dy vene tjera që ti marim 100 për 100. Ok shum mirë ke bë, meri masat me stil t’ja mar, ja dy Kustume…”.
A ke qenë Olsi pjesë e Prokurorisë së Tiranës në vitin 2021 dhe 2023, pra gjatë kohës kur kunati i Altin Hajrit është favorizuar për t’i shpëtuar veprimit të drejtësisë?
Cili është ky ministër që ka shok Olsin, i cili ka lidhje edhe me avokatin e kunatit të Hajrit?
A është pyetur Çyrbja se për cilin Ols bëhet fjalë? Po avokati i kunatit të Hajrit?
Duket një e vërtetë e thjeshtë, e cila do të hiqte retë e zeza të dyshimit mbi SPAK, në të cilin duket se ka ndonjë prokuror që ‘ha dardha’ pas kurrizit të Dumanit.