Ilir Rrapaj humbi ndjenjat në seancën e 23 dhjetorit 2024 në GJKKO. Atij iu rëndua pozita penale bashkë me ish-ministrin Ilir Beqaj. SPAK i akuzoi si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, kur më parë i kishte arrestuar vetëm për “Mashtrim” dhe “Shpërdorim detyre”. 100 milionë eurot e Koncesionit të Sterilizimit me sa duket i kanë hapur sytë SPAK-ut për t’i akuzuar më rëndë emrat kyç të kësaj afere.
Kompanitë e përfshira në aferën e sterilizimit, “Sani Service”, “Globalsher”, “Gama Service” etj., janë pjesë e një zinxhiri që Ilir Rrapaj e krijoi duke përdorur emra të rrethit familjar, fisnor dhe atij shoqëror. SPAK sekuestroi “Globalsher” dhe “Sani Service” por nuk u thellua te ata që bënë të mundur funksionimin e këtyre kompanive, duke xhiruar, fshehur e vjedhur miliona euro, duke “sterilizuar” buxhetin e shtetit. Ilir Rrapaj kishte punësuar juristë, ekonomistë, infermierë e inxhinierë, të gjithë emra të një oktapodi të gjerë farefisnor.
Ilir Rrapaj, ashtu si shumë emigrantë të viteve ’90, pinjoll i një familje të varfër me shtatë fëmijë, rrezikoi jetën kur lundroi Otranton për një jetë më të mirë në Itali. Për tre dekada në vendin fqinj, shumë shqiptarë të arratisur prej kushteve të vështira të jetesës së fshatit e qytetit në vendin amë, u shndërruan në qytetarë të integruar italianë. Jo pak prej tyre kanë origjinë qytetin dhe rrethinat e Vlorës. Raste suksesi ndër ta janë: Agron Shehaj, biznesmen, Lulzim Hamitaj, avokat, apo Ilir Rrapaj, “imprenditor” në Itali, Kosovë e Shqipëri.
Në aferën e sterilizimit, ku ish-ministri Ilir Beqaj dhe zëvendësi i tij Klodian Rrjepaj akuzohen nga SPAK se kanë faj në rolin shtetëror të tyre, “imprenditori” Rrapaj ka një pozicion qëndror, si koka e një rrjeti mashtrimi që lidh Italinë, Kosovën, Shqipërinë nëpërmjet duarve të tij dhe njerëzve të afërt.
SPAK sekuestroi në shkurt 2024, shoqërinë “Globalsher” me Nipt L62120029D dhe gjithë asetet e saj, me ortak të vetëm Ilir Rrapaj dhe administrator, djalin e motrës së tij, Bledar Rrokaj. Bledar Rrokaj del edhe si administratori i parë i shoqërisë “Sani Service”, edhe kjo e sekuestruar 40% nga SPAK.
“Globalsher”, sipas SPAK, ka vjedhur vetëm për 4 vite 7.2 milionë euro duke xhiruar fatura fiktive për “Sani Service” brenda një rrethi hajdutërie. Nëse “Sani Service” kishte vetëm një punonjës, “Globalsher” kishte një staf të orientuar për të kryer veprime sipas skemës së mashtrimit me fatura.
Juristja që mbante dokumentacionin dhe gjithçka të aktivitetin ligjor të “Globalsher” për pesë vjet ishte Lorena Rrapaj (bashkëshorte e kushëririt Besmir Rrapaj). Mitat Rrapaj, vëllai i Ilir Rrapajt, kontrollonte shitjet. Iljon Bimo dhe Alba Bimo, të dy nip e mbesë të Ilir Rrapajt, me role të përcaktuara brenda “Globalsher”. Ada Gjiknuri, e pozicionuar si “inxhiniere” e “Globalsher”, edhe pse pa lidhje gjaku me Ilir Rrapajn, është bashkëshorte e Panajot Gjiknurit, vëllai i Damian Gjiknurit.
Me të njëjtën skemë Ilir Rrapaj drejtoi edhe shoqërinë “Steralb” ku punësoi nipin e tij, Kevin Kapaj, si përgjegjës për operacionet financiare. Te “Gama Service” vendosi mjekun nga Kamza, shokun e ngushtë Artan Lleshi. Dhe kështu me radhë, duke përdorur një farefis të gjerë me inxhinierë, infermierë, juristë e menaxherë bashkë me miq të ngushtë dhe familjarë të miqve, funksionoi “oktapodi Rrapaj” me një rrjet kompanish të përfshira në skemën “sterilizimi”.
STERILIZIMI I TRUPËS SË KPK NË ÇËSHTJEN “RRAPAJ”
KPK, shkurtim i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, mbaroi mandatin në fund të 2024. 12 komisionerët e KPK vetuan gjithë sistemin gjyqësor, prokurorë, gjyqtarë, magjistratë, ndihmësa ligjorë, pasi u votuan në bllok në 2017 nga Parlamenti. Komisionerët e panjohur nga publiku, pasi bënë “kërdinë” me karrierën e dhjetëra gjyqtarëve e prokurorëve, filluan të shiheshin me vëmendjen e atij që pyet: Kush janë, nga erdhën?
Trupa e KPK që rivlerësoi në korrik 2024 karrierën e ndihmësit ligjor në Gjykatën e Lartë, Besmir Rrapaj, përbëhej nga Firdes Shuli, Etleda Çiftja dhe Lulzim Hamitaj, në rolin e relatorit.
Lulzim Hamitaj, një personazh pothuajse i panjohur nga publiku, në CV-në e tij të publikuar në faqen e KPK tregon se është diplomuar “Jurist” në vitin 1999 në Romë, Itali, por është diplomuar jurist edhe në Valencia, Spanjë. Ka ushtruar profesionin e avokatit në Romë, Itali, por ka pasur licencë avokatie edhe në Spanjë. Alternativat e CV-së së tij të çuditshme nuk përfshijnë në asnjë rast Shqipërinë.
Të dhëna të papublikuara më parë për juristin italo-spanjoll Hamitaj tregojnë se ai bashkëjeton me pedagogen e Universitetit Politeknik të Tiranës, Feruze Shakaj, me të cilën ka dy fëmijë. Me një familje nga Dukati i Vlorës, i zhvendosur herët në Itali, Lulzim Hamitaj pothuajse të gjithë rrethin familjar dhe shoqëror e ka në gadishullin Apenin. Të dhëna që vijnë nga shqiptarë që jetojnë në zonën e provincës së Romës, tregojnë për lidhje pune dhe miqësore të avokatit Lulzim Hamitaj me avokatin Engjëll Agaçi, në disa çështje ekstradimi të para vitit 2010.
Kur Besmir Rrapaj u pyet në seancën dëgjimore para KPK, prej relatorit Hamitaj: “A e njihni Ilir Rrapajn?” ai u përgjigj: “E njoh se e kam kushëri, por s’kam kontakte me të, vetëm përshëndetje të largëta me telefon për Vit të Ri ose ndonjë sebep apo ditëlindje…”
Lulzim Hamitaj, në dosje kishte të dhëna “përvëluese” për “patriotin” nga Vlora, ku dilte qartë se Ilir Rrapaj dhe Besmir Rrapaj dilnin si lidhje gjaku, madje edhe më tepër; Lorena Rrapaj, bashkëshortja e subjektit të rivlerësimit, ishte juriste e shoqërisë “Globalsher” që prej vitit 2017 deri kur u sekuestrua nga SPAK në 2024. Jo vetëm kaq, por subjekti që po rivlerësonte komisioneri Hamitaj kishte marrë hua për blerje apartamenti nga “Globalsher”, nga pronari Ilir Rrapaj.
Hamitaj shënoi në relacionin e tij: “Gjatë hetimit, Komisioni është vënë në dijeni lidhur me një marrëdhënie interesi e familjare me një person të dyshuar si person i papërshtatshëm, që ndërthuret me veprimet për blerjen e një apartamenti nga subjekti në vitin 2018, në analizë të rrethanave ligjore që cilësojnë ekzistencën e një kontakti të papërshtatshëm në referim të nenit 38, pika 4 e ligjit nr. 84/2016, nuk ka rezultuar që subjekti i rivlerësimit të ketë qenë i përfshirë në veprimtari të kundërligjshme apo të ketë pasur ndonjë kontakt të papërshtatshëm me persona të përfshirë në krimin e organizuar”.
Më 10 korrik 2024, trupa me tre komisionerët “Vetting” vendosi të konfirmojë në detyrë Besmir Rrapajn, pasi e gjeti të pastër figurën e tij, pavarësisht lidhjes me Ilir Rrapajn, të arrestuar fillimisht për “Mashtrim” dhe më pas për krijimin e një “Grupi të strukturuar kriminal”, me dyshimin e vjedhjes së miliona eurove të “sterilizimit”, nëpërmjet një mekanizmi mashtrimi ku rol parësor ka “Globalsher”, shoqëria e sekuestruar nga SPAK, që “bëri” me shtëpi një punonjës të rëndësishëm të Gjykatës së Lartë dhe ushqeu me paga “sterilizimi” për pesë vite bashkëshorten e tij.
Në një pjesë të konsiderueshme të proceseve të zhvilluara nga Komisioni i Vetting-ut, dhjetëra gjyqtarë apo prokurorë rezultuan “pis” vetëm bazuar në kriterin e figurës së tyre të ndotur nga takime të papërshtatshme. Disa syresh janë gjykuar ashpër nga “Avvocato Hamitaj”. Viktimë e relacioneve të DSIK, SHISH apo SPAK janë bërë shumë gjyqtarë e prokurorë të shkarkuar nga KPK. Por jo të gjithë subjektet e rivlerësimit kanë patur fatin “Rrapaj” të standardit “Hamitaj”.
Para një jave në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi u hodh shorti për caktimin e këshilltarëve të ngarkuar me mbështjetjen e veprimeve të relatorëve për dy vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese. Mes këshilltarëve që do të punojnë mbi aplikimet dhe dokumentacionin e dy anëtarëve të ardhshëm të Gjykatës Kushtetuese, goglat përzgjodhën Besmir Rrapajn, ndihmës ligjor në Gjykatën e Lartë dhe kushëri pa dëshirë i italianit “steril”, Ilir Rrapaj.