Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ka deklaruar se Prokuroria e Durrësit ishte bërë gati për arrestimin e disa personave të përfshirë në aferën me trafikun e mbetjeve të dyshuara si toksike të kompanisë Kurum, por ka patur ndërhyrje në momentet e fundit dhe ata nuk janë ndaluar.
“Prokuroria e Durrësit ishte thuajse një hap larg arrestimit të personave të përfshirë në këtë aferë të pastër korruptive, që nuk përfshin vetëm Kurum dhe Sokolaj por edhe institucione, që nga Ministria e Mjedisit, Porti i Durrësit, etj. Është histori e thellë korruptive. Në pikën kritike kur Prokuroria ishte bërë gati, pati ndikim të pastër politik për ta bërë këtë një çështje të dorës së dytë për të ndikuar hetimit. Një nga zyrtarët e Portit të Durrësit ka informuar me email zyrtar, që po bëhej kontrabandë ose trafik me mbetje që ishin të ndaluara për t’u eksportuar jashtë vendit. Pavarësisht këtij sinjalizimi që kishin dijeni titullarët e Portit, qeveria shqiptare dhe politika shqiptarë është shumë e shqetësuar. Ka brenda grupit të hetimit të interesuar për t’i shkuar deri në fund. Mbetjet janë dërguar, janë të Kurumit, kompani e mbështetur nga të dyja palët, çfarë bëri? U përpoq të kapë pjesën më të rëndësishme të medias dhe u përpoq të ndikonte te Prokuroria. Asnjë institucion nuk ka dërgur listën me ekspertë dhe nuk janë marrë mostrat për analizat se çfarë ka në kontejner. E vetmja mundësi që mos ndikohet janë ekspertë të huaj dhe analiza jashtë vendit. Nuk janë shkelur vetëm ligje shqiptare por ka histori të shkeljes së ligjeve ndërkombëtare, kjo histori ka pasoja shumë të rënda”, tha Lala.
Por si erdhi sinjalizimi i anijeve me mbetje industriale?
Sipas dokumenteve zyrtare të shqyrtuara nga AFP, kontejnerët ishin mbushur me materiale mbeturinash që ishin vendosur për t’u përpunuar dhe shkatërruar larg brigjeve të Evropës. Materiali i depozituar në 102 kontejnerët e kishte origjinën nga uzina e çelikut Kurum International në pronësi turke në Elbasan, Shqipëri. Mbetjet u blenë fillimisht nga kompania shqiptare Sokolaj, e cila më pas ia shiti materialin filialit të saj në Kroaci, GS Minerals, me ngarkesën që do të shkarkohej në Tajlandë për përpunim.
Sipas dokumenteve të parë nga AFP, Sokolaj i etiketoi mbetjet si “oksid hekuri” një substancë që nuk është e ndaluar për dërgesë ose që konsiderohet e rrezikshme. Një analizë e substancës në kontejnerë u krye nga një laborator kroat me bazë në Zagreb, sipas Sokolajt. Kur u kontaktua nga AFP, laboratori refuzoi të komentonte, duke thënë se “informacioni mund t’u jepet vetëm klientëve”. Vetë Sokolaj nuk i është përgjigjur pyetjeve se çfarë ka në kontejnerë. Kompania dhe filiali i saj kroat refuzuan të dyja kërkesat e AFP për koment.
Një sinjalizues kishte telefonuar rrjetin e Bazelit për të raportuar se kontejnerët mbanin jo vetëm oksid hekuri, por edhe mbetje toksike.
BAN (Rrjeti i Veprimit të Baselit) i kërkoi Maersk që të ndalonte anijet kur ato ishin pranë bregut të Afrikës së Jugut. Anijet nuk u përgjigjën dhe fikën transponderët e tyre ndërsa lundronin për në Singapor, sipas BAN. BAN më pas njoftoi autoritetet tajlandeze, të cilët refuzuan të lejonin hyrjen e kontejnerëve. Në fund të gushtit, 102 kontejnerët në bordin e dy anijeve u nisën për në Evropë dhe mbërritën në Shqipëri në fund të shtatorit, më ekzaktësisht më datë 28. Që nga dhënia e alarmit, në Shqipëri, prokurorët kanë hapur një hetim për incidentin në bashkëpunim me Zyrën Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF) dhe partnerët ndërkombëtarë. Tani Prokuroria e Durrësit, po verifikon dokumentacionin e plotë dhe autorët e shkeljes së rëndë. Po ashtu, nga hetuesit në Shqipëri janë marrë edhe mostra nga oxhakët e fabrikës “Kurum” për t’i krahasuar më pas me mostrat që do të merren nga konteinerët.