Marina Nito, bashkëshortja e biznesmenit Elman Abule, u paraqit në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për të dhënë dëshmi mbi hetimet që po zhvillohen ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe familjarëve të tij.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se Nito është pyetur për marrëdhëniet e saj me Ajola Xoxën, bashkëshorten e Erion Veliajt, dhe dyshimet për interesa të ndërsjella okulte në fushën e biznesit. Dyshohet se përfitimet që bashkëshorti i saj, Elman Abule, ka marrë nga Bashkia e Tiranës, përfshirë lejet e ndërtimit, janë dhënë në këmbim të favoreve të ndërsjella.
Gjithashtu, Nito raportohet se është pyetur për udhëtimet e saj jashtë vendit me çiftin Xoxa-Veliaj dhe për transaksionet bankare të lidhura me kompanitë e Ajola Xoxës.
Pas daljes nga Prokuroria, Marina Nito nuk pranoi të japë asnjë koment për mediat.
Hetimet dhe sekuestrimet e SPAK
Më 6 dhjetor 2024, SPAK sekuestroi celularët e Marina Nitos, Elman Abules, Ajola Xoxës dhe Arbër Veliajt, vëllait të kryebashkiakut. Po ashtu, kontrolle janë ushtruar në bizneset e Ajola Xoxës dhe Arbër Veliajt, ndërsa më herët janë marrë dëshmitë e kryebashkiakut Veliaj dhe të bashkëshortes së tij.
Hetimet ndaj Veliaj për korrupsion dhe pastrim parash
Erion Veliaj është nën hetim nga SPAK për katër vepra penale:
Korrupsion aktiv dhe pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë,
Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale.
Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive.
Në kundërpërgjigje, Veliaj ka sulmuar publikisht SPAK-un, duke pretenduar se hetimi është ngritur mbi një kallëzim nga një person i paqenë, Nesti Angoni. Ai e ka quajtur këtë proces një “metodë komuniste” të drejtuar kundër tij dhe familjarëve të tij.
Lëvizjet e Veliajt gjatë hetimeve
Në kulmin e hetimeve, Veliaj udhëtoi drejt SHBA-ve, për t’u rikthyer në publik gjatë natës së ndërrimit të viteve, ku u shfaq në festimet e organizuara në Sheshin Skënderbej. Hetimet ndaj tij mbeten ndër çështjet më të ndjekura dhe delikate të momentit.