Interpol Tirana arreston një nga personat më të shumëkërkuar të listës.
Prangoset në Greqi Jani Alia, i dënuar përjetë për ekzekutimin e Elton Çiços, më 1 Maj të vitit 2016 në hyrje të ish-Bllokut, brenda një lokali pranë stadiumit “Selman Stermasi” në Tiranë.
Operacion ka qenë i përbashkët ndërkombëtar mes Shqipërisë dhe Greqisë, i konfirmuar ditën e sotme (3 Janar) dhe i koduar “In Time” (Në kohë).
Burime zyrtare thanë se 47-vjeçari i kërkuar prej 9 vitesh, po fshihej në Athinë, teksa tani pritet ekstradimi dhe izolimi për të vuajtur dënimin e përjetshëm të dhënë nga drejtësia.
“Departamenti i Policisë Kriminale, pas punës gjurmuese dhe sigurimit të informacionit, identifikoi vendndodhjen e Jani Alia, i cili fshihej në Athinë.
Falë bashkëpunimit të ngushtë dhe shkëmbimit të informacionit mes Policisë së Shtetit dhe autoriteteve greke, Policia Greke finalizoi operacionin “IN TIME”, duke arrestuar këtë shtetas”, bëri me dije Policia e Shtetit.
Më tej theksohet se Interpol Tirana, në koordinim me Interpol Athinën, po vijon procedurat për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.