Nëse Babloku nuk “ka ngrënë dardha”, nuk duhet të mbyllë Tik-Tokun kinez, me të cilin hargalisen qeveritarët, por duhet të mbyllë koncesionin kinez “Bankers”; ndërsa “sonda” e SPAK duhet të futet urgjent në aktivitetin e kësaj kompanie mafioze, që prej 20 vitesh po grabit naftën shqiptare me bilance false e nuk paguan asnjë taksë…
Faktet tregojnë, se për koncesionin offshor në naftën shqiptare, nuk është qeveria që kontrollon e takson kompaninë “Bankers”, por janë mafiozët kinezë, ata që vazhdojnë të vjedhin me bilance vjetore false, këtë pasuri miliardash, dhe kundrejt ryshfeteve detyrojnë kupolën e pushtetit të hesht e të lejojë vjedhjet.
Prej 20 vitesh, kompania “Bankers” raporton 80% të prodhimit total të naftës së nxjerrë në Shqipëri, por deklaron se del me humbje apo fitime minimale, që të mos paguajë detyrimet ndaj shtetit, ndërsa tatimet ia pranojnë mashtrimet me urdhër të shefave të qeverisë.
Por fijet lidhëse, mafiozët kinezë të kompanisë “Bankers”, përveçse me shefat e qeverisë e tatimeve, për të hartuar bilance false e për të fshehur vjedhjet, i kanë mpleksur dhe me familjarë të shefave të drejtësisë, konkretisht me kupolën e Prokurorisë së Përgjithshme.
Dokumentet e publikuara në media të ndryshme, vërtetojnë se auditimet dhe çertifikimet e bilanceve të kompanisë “Bankers” për vitet 2019- 2023, i ka bërë kompania “L.E.A.L Auditing Sh.p.k”, me pronarë Leze e Eda Abazi, bashkëshortja dhe vajza e Sekretarit të Përgjithshëm të Prokurorisë së Përgjithshme, Luan Abazi.
Këto i kanë nxjerrë bilancet vjetore të kompanisë “Bankers” me nga 30 mijë, 41 mijë, 45 mijë e me 70 mijë Euro fitim, sikur gjigandi “Bankers” është një kioskë “Person fizik”, dhe jo koncesionar në regjistrin e subjekteve VIP, që nxjerr dhe eksporton mesatarisht nga 1.2 milionë ton naftë në vit.
Ndërsa i gjati i qeverisë, po e lejon të mashtrojë me bilancet e të mos paguaj asnjë detyrim fiskal; por nuk është rastësore, që auditimin dhe certifikimin e bilanceve, kompanisë “Bankers” ia bëjnë bashkëshortja dhe vajza e Sekretarit të Përgjithshëm të Prokurorisë së Përgjithshme.
Babloku, nëse nuk ‘ka ngrënë dardha’ nga mafiozët e “Bankers”, nuk duhet të mbyll Tik-Tokun kinez, me të cilin hargalisen dhe qeveritarët, por duhet t’u heqë koncesionin dhe të largojë kinezët e kësaj kompanie, që po i vjedhin i Shqipërisë nga 350-400 milionë Euro naftë në vit, në një kohë kur largimin ia ka kërkuar edhe DASH.
Ndërsa “Sonda” e SPAK, duhet të futet urgjent në aktivitetin e koncesionit mafioz “Bankers”, për të hetuar mashtrimet me eksport- importet, bilancet me investimet, sasinë e prodhimit, të ardhurat, shpenzimet, humbjet, fitimet, akcizën, rentën minerare, taksat lokale e qëndrore, por dhe qeveritarët që i kanë lejuar mashtrimet e vjedhjet.